Këtë të enjte, Silvi Bardhi, kandidate për primare në Elbasan, ka denoncuar një veprim të dyshuar të Partisë Socialiste, duke pretenduar se kjo e fundit po përpiqet të blejë votat e qytetarëve të Elbasanit përmes shpërndarjes së njoftimeve për legalizime, një praktikë që ajo e cilëson si mashtrim në prag të zgjedhjeve.
Sipas Bardhit, administrata lokale po shpërndan njoftime për legalizime pa i shoqëruar ato me dokumentacionin e nevojshëm, duke shkelur ligjin që ndalon shpërndarjen e lejeve të legalizimit brenda një periudhe katërmujore para zgjedhjeve.
Ajo kërkon që organet ligjzbatuese të ndërhyjnë dhe të hetojnë këtë praktikë të dyshuar.
DENONCIM:
Rilindja pasi ka lënë në varfëri qytetarët e Elbasanit kërkon t’i blejë sërish me mashtrime në fund të mandatit të saj të fundit qeverisës.
Partia Socialiste e ka bërë rrugë që në çdo periudhë fushate të shpërndajë favore nën dorë ose edhe në sy të miliona shqiptarëve, duke shkelur hapur ligjin.
Rasti të cilin denoncojmë sot ka të bëjë me shpërndarjen e legalizimeve në qarkun Elbasan.
Dokumenti të cilin shihni po shpërndahet nga administratorët e njësive të qeverisjes vendore, të cilët posedojnë listat e vetëdeklarimeve duke u shuar derë më derë aplikantëve me njoftime ose duke i ofruar legalizime.
Si ky njoftim për legalizime ka shpërndarë me dhjetëra ASHK Elbasan prej mesit të Janarit e deri sot. Gjë e cila ndalohet me ligj në periudhë katër mujore të afatit të datës së zgjedhjeve.
Denoncimi që na vjen thekson se këto njoftime janë të pashoqëruar me leje legalizimi, me genplane dhe skica.
Qytetarët të cilët kërkojnë të aplikojnë u thonë se mjaftohen vetëm me këtë njoftim për të marrë tapitë e pronave të tyre, ndërkohë që ky njoftim duhet të jetë i shoqëruar me lejen fizike të legalizimit. Kërkojmë nga organet ligjzbatuese të verifikojnë numrin protokollit të njoftimit, kohën e njoftimit dhe kohën kur janë prodhuar dhe nënshkruar lejet e legalizimit për këto raste.
Dyshimet tona janë se këto njoftime për proçesin e legalizimeve në Qarkun Elbasan po përdoren për qëllime të drejtpërdrejta elektorale.
I bëjmë thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të cilët u kanë kujtuar institucioneve të shtetit se 4 muaj para zgjedhjeve nuk lejohet shpërndarja e lejeve të legalizimit.
I bëjmë thirrje qytetarëve të Elbasanit, të mos manipulohen nga mashtrimet e kësaj qeverie e cila prej 12 vitesh ju ka lënë në kushte mjerane, varfërie, pamundësie dhe përuljeje.
Favoret e çastit janë thjesht një mashtrim i rradhës për t’ju lënë sërish në kushte mbijetese, shtypëse dhe nënshtrimi.
Partia Demokratike do jetë në krahun tuaj duke ju ofruar të gjithë ndihmën për denoncime dhe zgjidhje të problemeve që ju janë shkaktuar 12 vitet e “Rilindjes”.