Policia ka shtruar kontroll në banesën dhe automjetin e një 55-vjeçari të shpallur në kërkim në Fier.
Shtetasi me iniciale A.I., akuzohet për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë, 1 palë targa të huaja, jelek si të policisë, 2 pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumente zyrtarë.
Sakaq janë shoqëruar në komisariat disa persona.
Njoftimi:
Veprime intensive hetimore dhe policore, mbi rastin e kanosjes së një gjyqtari të Gjykatës së Fierit, të kallëzuar prej gjyqtarit, në Prokurorinë e Fierit, më datë 17.02.2025.
Kryhen kontrolle në ambiente dhe automjete, në pronësi të shtetasit të shpallur në kërkim si autor i këtij rasti.
Gjenden dhe sekuestrohen: 1 armë zjarri pistoletë, 1 palë targa të huaja, jelek multifuksional si i Policisë, 2 pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumenta zyrtarë.
Në vijim të veprimeve, shoqërohen në ambientet e Policisë, disa shtetas (me lidhje me shtetasin e shpallur në kërkim).
Në zbatim të vendimit të datës 19.02.2025, të Gjykatës së Fierit, Policia e Fierit dhe “RENEA” kanë kryer kontrolle në banesa, ambiente dhe automjete, në pronësi të shtetasit A. I., 55 vjeç, banues në lagjen “Sheq i Madh”, i cili është kallëzuar në Prokurorinë e Fierit, nga një gjyqtar i Gjykatës së Fierit, për kanosje të kryer më datë 12.02.2025.
55-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Me qëllim hetimin e plotë të rastit, Policia ka sekuestruar sende që do t’i shërbejnë hetimit, si dhe ka shoqëruar shtetas të lidhur me shtetasin A. I..
Policia e Fierit informon se po kryhen kontrolle intensive për kapjen e 55-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të tij, për këtë rast që ka cenuar për shkak të detyrës, një anëtar të Gjykatës së Fierit
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.