Partia Socialiste e Shqipërisë ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet e 11 majit.
Në dokumentin që është bërë publik vetë nga KQZ, kërkesa për t’u regjistruar është firmosur nga kryetari i PS, Edi Rama.
Në deklaratën e angazhimit sulemn te firmosur nga Rama thuhet se të gjithë strukturat e partise qe do marrin pjese ne zgjedhje do të refuzojnë të marrin pjesë në praktikat e blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale.
“Deklaroj në cilësinë e kryetarit te partise angazhimin solemn të Partisë tonë se, pjesëtarët e strukturave drejtuese dhe administrative, të anëtarësisë, kandidatëve për deputetë/ drejtues/ anëtarë të organeve të qeverisjes vendore, deputetë/drejtues/ anëtarë të organeve të qeverisjes vendore dhe gjithë strukturave të tjera të angazhuara nga subjekti në këto zgjedhje, funksionarë/ ish funksionarë publik do të refuzojnë të marrin pjesë në praktikat e blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale.
Angazhohemi të zbatojmë rregulla për të gjithë anëtarësinë, administratën dhe ndjekësit tanë që: Të mos premtojnë ofrojnë/ japin para, mallra, shërbime dhe/ose nxisin premtime për punësim apo trajtime të tjera të veçanta votuesve dhe/ose të tjerëve, duke përfshirë familjet e votuesve apo komuniteteve të ndryshme apo të veprojnë në mënyrë të tillë që synohet të ndikojë, ose arsyeshëm pritet të ndikojë në mënyrën se si votuesit japin votën e tyre;
• Të zbatojmë parimet bazë të trashëgimisë zgjedhore europiane për votim universal, të barabartë, të lirë, të fshehtë, dhe të drejtpërdrejtë;
• Të respektojmë të drejtat dhe liritë politike të shtetasve, organizatave, partive politike, për të promovuar dhe debatuar çështje politike;
• Të mos përfshihemi në praktika kërcënuese ose pengimi për të ushtruar të drejtën e votës dhe shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve.
• Të bëjmë publike në kohë reale pranë KQZ-së dhe faqen zyrtare të subjektit tonë politik çfarëdolloj donacioni si dhe të refuzojmë dhurime në mjete monetare apo në natyrë që: Tejkalojnë limitin e përcaktuar për donacion; Janë kontribute në para apo në natyrë me prejardhje nga burime të ndaluara që përfshijnë edhe të ardhurat nga krimi, individë, kompani të huaja nga vende me origjinë të dyshimtë/të parajsave fiskale; Janë donacione të cilat nënkuptojnë apo perceptohen si favorizime për dhënie kontrata publike, emërime në funksione publike apo përfitime të tjera që shkojnë në emër e për llogari të dhuruesit”
Kujtojmë që në KQZ kanë depozituar kërkesë për regjistrime edhe parti të tjera, mes tyre edhe Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë.