Ndonëse Rruga e Arbrit është drejt përfundimit të punimeve, banorët e fshatit Shkallë në Xibër të Klosit kërkojnë ende ndërtimin e një nënkalimi, pasi e kanë të pamundur të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
Këtë shqetësim banorët e kanë ngritur prej kohësh, por nuk u mor asnjë masë nga kompania “Gjoka” që po ndërton rrugën. E vetmja rrugë kalimi për banorët e fshatit Shkallë është kjo tombino, që shërben për rrjedhjen e ujërave të përrenjve.
Një nga banorët e fshatit thotë se mungesa e nënkalimeve vë në rrezik jetën e tyre, pasi mund të përplasen nga automjetet që qarkullojnë me shpejtësi.
I njëjti shqetësim është ngritur më parë edhe nga banorët e fshatit Xibër Murrizë, pak metra larg hyrjes së tunelit numër 1 të Rrugës së Arbrit, ku rruga e ndan mespërmes fshatin, duke izoluar një lagje të tij.