SHBA dhe Rusia kanë mbajtur takime të fshehta për të diskutuar luftën në Ukrainë që prej muajit nëntor kur Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale. Agjencia e Lajmeve Reuters, e cila citon tri burime të ndryshme, thotë se ka pasur bisedime jozyrtare mes palëve dhe takimi i fundit ka qenë javën e shkuar.
Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Geron Kamberi tha në një intervistë për “Newsline” se diplomacia e fshehtë është tashmë një “traditë” e diplomacisë ndërkombëtare. Sipas tij, Zelensky është në një pozitë të vështirë për shkak se do të duhet të pranojë humbjen e një pjese të territorit, gati 20 përqind.
“Reagimi i Zelenskyt që është në një pozitë të vështirë nga pikëpamja e opinionit publik që nëse do t’i duhet të pranojë kushtet, do të duhet të bëjë tërheqje nga shumë qëndrime që ka mbajtur deri tani dhe do t’i duhet të pranojë që një pjesë e territorit ta konsiderojë të humbur, të paktën 20 përqind. Të njohë një status quo që ka ardhur si rezultat i luftimeve deri tani. Dhe të kujdeset për diçka tjtër me një lloj çmimi, për marrëveshjen e mineraleve strategjike.”, u shpreh Kamberi.
Sipas tij, Evropa ishte e papërgatitur për reagimin e Donald Trump dhe mënyrën se si ai kërkon të zgjidhë konfliktin.
“Problemi i BE është se ne nuk diskutojmë asnjë variant pa praninë e SHBA dhe në momentim kur fuqia kryesore e BE dorëzohet para një realiteti të tillë, nuk ka shumë versione për ta zgjidhur këtë konflikt. Pra do të zgjidhet sipas mënyrës amerikane sepse Evropës do t’i duhet nëse do ta vazhdojë mbështetjen ndaj Ukrainës, duhet të rrisë shpenzimet ushtarake në vlera që shumë vende evropiane e kanë të vështirë. Evropa nuk ka pasur një plan B nëse Amerika do të hiqte mbështetjen“, shtoi ai.
Eksperti tha se deri më tani, skenari më i mundshëm për zgjidhje është që një pjesë e territorit të kontrolluar nga Rusia të quhet me “mandat të përkohshëm”.
“Siç duket deri tani, nëse nuk do të ketë ndryshime gjatë rrugës, skenari më i mundshëm është që Ukraina ta quajë pjesë të territorit që kontrollohet nga Rusia, territor që të ketë mandat të përkohshëm.
Nuk kemi armëpushim jo më pastaj të flasim për paqe. Aktualisht po ecet drejt një projekti paqeje por se si do ta ketë emrin, paqe e drejtë apo me çdo kusht do ta shohim pak më vonë.”, u shpreh Kamberi.