Myslym Murrizi ishte i ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, ku deklaroi se ai ka paguar koston e lirisë së tij, duke shtuar se do të vijojë luftën për të prishur atë që e quajti “pazari Rama-Berisha të vitit 2008”.
“I përkas Partisë Demokratike që nga viti 1990. Krijova Partinë Lëvizja Demokratike Shqiptare bashkë me disa ish-deputetë kur grupi i bizbiqëve dhe eunukëve politikë më shpallën armik dhe ishte e vetmja mënyrë për të rikandiduar në vitin 2021 dhe jam krenar. Ndoshta isha i vetmi ndër subjektet e reja politike që isha i përjashtuar, të tjerët i krijuan për qejf”, tha Murrizi.
“Unë kam paguar me qejf koston e lirisë sime. Unë vazhdoj me shumë zell e dëshirë për të qenë ky që jam, që të prish atë pazar të pistë që është bërë në 2008. Nëse qytetarët do të më çojnë në Kuvend, do të ngre zërin për hallin e tyre dhe nuk do të resht kurrë në Kuvend që ta çaj edhe këtë mur të 1/3-ve të fëlliqësirave që duan të jenë deputetë pa votë qytetarësh”, shtoi Murrizi.
Ai tha se do të garojë në listë të hapur: “Është zgjedhja ime se nuk e ndërroj surratin me mandatin”.