Një 32-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Beratit, pasi akuzohet për shitje të lëndëve narkotike.
Policia bën me dije se i arrestuari shiste lëndë narkotike në qytetin e Beratit, Kuçovës dhe Dimalit.
Gjatë kontrollit në banesën e 32- vjeçarit, policia gjeti dy qese me rreth një kilogramë lëndë narkotike kanabis në formë boçeje që ky shtetas po e përpunonte duke e ndarë në doza me qëllim shitjen.
NJOFTIMI
DVP Berat
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Shqiponja, goditën një rast tjetër të shitjes së lëndëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalaja”.
Shiste lëndë narkotike në qytetin e Beratit, Kuçovës dhe Dimalit, vihet në pranga 32-vjeçari.
Sekuestrohen në banesën e 32-vjeçarit dy qese plasmani me rreth një kilogramë lëndë narkotike kanabis në formë boçeje.
32-vjeçari lëndën narkotike po e përpunonte për ta ndarë në doza me qëllim shitjen.
Procedohet penalisht dhe një shtetas tjetër, të cilit iu gjet një sasi e vogël lëndë narkotike që e kishte blerë tek 32-vjeçari.
Në vijim të kontrolleve bazuar dhe në inteligjencën policore me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetet e Beratit dhe Kuçovës, në afërsi të shkollave, lokaleve dhe në ambiente të ndryshme, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja, goditën një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kalaja”, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga shtetasin J. D., 32 vjeç, banues në Dimal dhe proceduan penalisht shtetasin N. Z., 22 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit në banesën e 32- vjeçarit, policia gjeti dy qese me rreth një kilogramë lëndë narkotike kanabis në formë boçeje që ky shtetas po e përpunonte duke e ndarë në doza me qëllim shitjen.
Ndërsa shtetasit N. Z, gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti një sasi të vogël lëndë narkotike cannabis, të cilën e kishte blerë tek shtetasi J. D.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.