Në një intervistë televizive, gazetari Enrik Mehmeti solli një tablo të plotë mbi rastin e dhunimit të biznesmenit Arben Çipa në zonën e Heremecit.
Vetë Çipa ka publikuar një video ku tregon shenjat e dhunës ndërsa ka deklaruar se është sulmuar nga dy persona, ndërsa njëri prej tyre, sipas tij, kishte kundërshtuar një projekt të tij.
Sipas gazetarit Enrik Mehmeti, konflikti ka lindur për shkak të ndërtimit të një linje elektrike, e cila do të furnizonte një biznes në Heremec. Personat që kanë ushtruar dhunë ndaj Arben Çipës ishin një xhaxha dhe nip, të cilët kundërshtonin ndërtimin e kësaj linje, duke pretenduar se ata vetë do të bënin një investim të ngjashëm në zonë.
“Ngjarja ka ndodhur të shtunën, rreth orës 16:10, ndërsa Çipa ishte duke udhëtuar drejt Heremecit, ku po realizonte një projekt privat për furnizimin me energji elektrike të një bar-restoranti. Dy autorët e dyshuar e kanë ndaluar rrugës dhe kanë debatuar me të lidhur me këtë investim, gjë që më pas ka degjeneruar në dhunë fizike. Ai po shkonte drejt Heremecit kur rruga iu pre nga një person i identifikuar si Dio, i cili, së bashku me një individ tjetër, filloi të debatonte me të. Ata e kundërshtonin ndërtimin e kësaj linje elektrike, duke i thënë se nuk mund të realizonte këtë investim, pasi ata kishin një projekt të ngjashëm. Debati verbal mes tyre u përshkallëzua në dhunë fizike, dhe sipas raportit mjeko-ligjor, biznesmeni ka marrë dëmtime të rënda në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit. Plagët e tij janë klasifikuar si të rënda, me një kohë rikuperimi mbi 9 ditë, çka e kategorizon këtë ngjarje si plagosje të rëndë me dashje. Goditjet më të rënda janë në fytyrë. Kemi të bëjmë me një sulm të dhunshëm, ku të dy agresorët e kanë sulmuar brenda makinës së tij, duke e goditur disa herë. Në bazë të ekspertizës mjekësore, dëmtimet janë të konsiderueshme dhe përfshijnë trauma të shumta,” shtoi gazetari Mehmeti.