Papa Françesku në gjendje kritike për jetën, Elisa Spiropali: Presim me plot shpresë shërimin tuaj!

Shqipëria

Papa Françesku në gjendje kritike për jetën, Elisa Spiropali: Presim me plot shpresë shërimin tuaj!

Më: 23 shkurt 2025 Në ora: 15:22
Elisa Spiropali dhe Papa Françesku

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, i ka përcjellë mesazh Papa Françeskut, i cili ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.

Spiropali shkruan se pret me plot shpresë sherimin e tij, teksa i drejtohet papës duke thënë “zëri Juaj është një jehonë e tingull i fortë i së vërtetës, ndaj lutja ime i bashkohet lutjeve të familjes së madhe shpirtërore që ju qëndron afër”.

Postimi i Spiropalit:

Shenjtëri Papa Françesku,

Në këto ditë kur nga e gjithë bota arrijnë mesazhe e lutje për shëndetin Tuaj, po J’u dërgoj një të tillë nga një vend i dashur për Ju, që e zgjodhët të parin në Europë për ta vizituar. E përcjell këtë mesazh e këtë lutje për shëndetin Tuaj në emër të një fjale: “pritje”. Pritja është një fjalë e fuqishme e mjaft kuptimplotë në Ungjill. Shqiptarët Ju priten me dashuri e zemër të ngrohtë në shtatorin e 2014-ës. Pritën martirët e besimit bekimin e shpalljen e lumnimit Tuaj për ta.

E tani me plot shpresë presim edhe ne shërimin Tuaj! Udhëheqja shpirtëtore e Kishës Katolike dhe referenca Juaj morale për krejt botën është përherë e rëndësishme, por veçanerisht sot kur kohërat po dëshmojnë se asnjë arritje shoqërore e politike në mbrojtje të së mirës së përbashkët dhe të dinjitetit të njeriut nuk duhet të merret kurrë e mirëqenë.

Zëri Juaj është një jehonë e tingull i fortë i së vërtetës, ndaj lutja ime i bashkohet lutjeve të familjes së madhe shpirtërore që ju qëndron afër.

Mënyra sesi Ju i jeni qasur momenteve të vështira të shëndetit është një dëshmi e rrallë se si çdokush duhet ta përballojë sëmundjen. E kujtoj përherë, nëpërmjet mediave, buzëqeshjen Tuaj në dyert e spitalit. Të buzëqeshur Ju presim duke dalë prej tij.

Krishti në Ungjill ka shëruar përherë me dashuri, ndaj me dashamirësi të thellë Ju uroj shërim të shpejtë e të plotë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat