Të martën përfundon afati/ 26 parti kërkojnë të garojnë më 11 maj! Më datë 25 mars do të nisë prodhimi i fletëve të votimit

Shqipëria

Të martën përfundon afati/ 26 parti kërkojnë të garojnë më 11 maj! Më datë 25 mars do të nisë prodhimi i fletëve të votimit

Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 08:55
Foto ilustrim

Ndërkohë që nesër përfundon afati për dorëzimin e dokumentacionit, janë 26 parti politike që kanë bërë kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u regjistruar në procesin e 11 majit.

Afati për dorëzimin e kërkesave përfundon më 25 shkurt. Deri më 7 mars është afati për dorëzimin e kërkesave për regjistrimin e koalicioneve. Më 12 mars përfundon afati për depozitimin e listave shumemërorë të kandidatëve.

Pas shqyrtimit të kërkesave dhe përfundimit të të gjitha ankesave, më 25 mars do të nisë prodhimi i fletëve të votimit. Krahas 3 partive të mëdha, PD, PS dhe Partisë së Lirisë, janë regjistruar dhe 23 parti të tjera të vogla, mes të cilave aleatët me të cilët Partia Demokratike do të dalë në koalicion, si dhe partitë e reja që në këto zgjedhje do të provojnë veten me ambicien për përfaqësim në parlament, si “Mundësia” e Agron Shehajt, “Lëvizja Bëhet” apo “Bashkë” e Arlind Qorrit. Ndërkohë në zgjedhje ende nuk është regjistruar partia e Lulzim Bashës, “Koalicioni Euroatlantik”, apo ajo e Enkelejd Alibeajt “Djathtas 1912”. Partitë kanë kohë deri më 25 shkurt për t’u regjistruar për zgjedhjet e 11 majit, ndërkohë që më 7 mars është afati për regjistrimin e koalicioneve, ndërsa 12 mars dorëzohen kandidatët. Në zgjedhjet e 11 majit do të votojë për herë të parë dhe diaspora. Deri tani janë mbi 210 mijë shqiptarë nga diaspora që kanë aplikuar për t’u regjistruar në zgjedhje, ndërsa janë miratuar rreth 170 mijë kërkesa.

Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur tre skenarë se ku mund të zhvillohet votim dhe numërim elektronik në zgjedhjet e 11 majit. Variantet u janë dërguar për konsultim partive politike dhe Komisionit Rregullator, i cili në fund fare do të vendosë se ku do të eksperimentohet ky proces. Në të tria propozimet e përgatitura nga Ilirjan Celibashi, votimi e numërimi elektronik ndahet mes bashkive Tiranë, Vorë dhe Durrës. Fleta do të ketë të gjithë kandidatët me emra, si listën e mbyllur, ashtu edhe listën e hapur. Fleta e qarkut Tiranë do të ketë përmasa gjigante për shkak se prodhon 37 deputetë dhe duhet të ketë 49 emra për çdo subjekt zgjedhor. Numri i emigrantëve që regjistrohen për t’u bërë për herë të parë pjesë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit vijon të rritet me ritme të shpejta.

Janë mbi 210 mijë shqiptarë nga diaspora që kanë aplikuar për t’u regjistruar në zgjedhje, ndërsa janë miratuar rreth 170 mijë kërkesa. Afro 39 mijë të tjera janë refuzuar për shkak të adresës, ndërsa përfaqësues të KQZ-ja e kanë quajtur shifrën e regjistrimit më të lartë se parashikimet fillestare. Ndërkohë regjistrimet pritet të rriten, pasi emigrantët kanë edhe 8 ditë kohë për të aplikuar. Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 102 255, e ndjekur nga Greqia me 74 609, Gjermania me 27 808 si dhe nga SHBA me 17 788 e Britania e Madhe 15 284. Sa u takon kërkesave sipas qarqeve, numri më i lartë i aplikimeve është për qarkun e Tiranës me 51 485, më pas vijnë qarqet Fier me 34 220 kërkesa, Elbasan me 28 671, Durrës me 27 909, Korçë me 23 642 etj.. Sipas gjinisë, përqindjen më të lartë të regjistruesve e kanë meshkujt, me 154 017 kërkesa, ndërsa femrat janë 107 724. Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri më 4 mars. Sipas afateve të caktuara nga KQZ-ja, më 25 shkurt përfundon afati për regjistrimin e partive politike dhe komiteteve nismëtare. Gjithashtu më 25 shkurt Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve publikon listën paraprake të zgjedhësve nga jashtë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat