Koalicion LZHK-Djathtas/ Shehi: I ftoj të gjithë t’i bashkohen listës së hapur

Shqipëria

Koalicion LZHK-Djathtas/ Shehi: I ftoj të gjithë t’i bashkohen listës së hapur

Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 10:19
Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi

Dy partitë opozitare LZHK-Djathtas do të garojnë në zgjedhjet e 11 Majit së bashku. Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi i ka ftuar të gjithë t’i bashkohen listës së hapur, duke lënë kohë deri më datë 3 mars.

Sakaq, ai ka dalë garant se do të respektohen rregullat e ndershmërisë, pavarësisht nëse është parti e madhe apo e vogël.

“Këtu janë shtuar shumë grupe që do ta rëndojnë listën. Por unë po i them si garant se të gjithë partitë kanë hapësirën e tyre, nuk ka lidhje nëse janë të vogla të vogla, do të respektohen të gjitha rregullat e ndershmërisë.

Emrin e koalicionit do ta lënë më 3 mars. Koha nuk punon për ne, kemi një kohë. I ftoj të gjithë ti bashkohen kësaj listës së hapur, secili mund të jetë kontribues. Keni një javë kohë. Unë do t’i bëja dhe një herë një ftesë të fundit. Këta zotërinj që kanë 30 vjet në Shqipëri, do duhet të lënë vend për protagonist. Në qoftë se nuk ka partner të tjerë, ne në datë tre do ta dorëzojmë”, tha Shehi.

Lidhur me ish kreun e PD, Lulzim Basha i cili ende nuk është anëtarësuar në këtë koalicion, por as nuk është regjistruar në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhje, Shehi tha se kushdo është i mirëpritur, nëse dakordësohet me kushtet e platformës së tyre.

“Z. Basha deren e ka hapur kemi patur ndryshime në pikëpamje kam vënë një lloj kondicionimi që drejtojmë ne, nëse do pranojnë kushtet janë të mirëpritur. A e ka regjistruar partinë apo jo duhet pyetur, ne regjistrohemi sot në drekë për burokraci të vogla. Gjithmonë ka kohë për të reflektuar, po e bëjmë këtë punë për të kuptuar se kjo nuk është pritje pa fund, konfirmojmë dëshirën e bashkëpunimit erdhën s’erdhën ne do hyjmë bashkë. Ne sot konfirmojmë do shkojë si do shkojë ne jemi bashkë me listë të përbashkët, nëse iu pëlqen le të vijnë”, u shpreh Shehi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat