Deputetja e PS Klotilda Bushka është paraqitur të hënën në SPAK e shoqëruar nga avokati Henrik Ligori.
Kryetarja e komisionit të ligjeve është nën hetim për dosjen “Veliaj”, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua më 10 shkurt pas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK në njoftimin bënte me dije se, përveç Veliajt, është vendosur nën hetim edhe deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka.
Ajo akuzohet për pengimin e hetimeve të prokurorëve të SPAK për zbardhjen e skemës korruptive të lidhur me kryebashkiakun.
“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024”, thuhej në njoftimin e SPAK.