Ditën e sotme është mbajtur një takim lidhur me trajnimin e drejtuesve dhe specialistëve të Policisë së Shtetit, me programe të posaçme, mbi detyrat e tyre funksionale, gjatë proceseve zgjedhore.
Mes shumë të pranishmëve, ishte dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi. Ai shprehet i kënaqur nga puna e realizuar mes KQZ-së dhe Policisë së Shtetit teksa e cilëson si një punë profesionale të krijuar mes dy palëve në raport me zgjedhjet.
Ndër të tjera, Celibashi thekson se një vëmendje e shtuar duhet dhe ndaj personave të cilët gjatë ditës së zgjedhjeve, janë të paautorizuar për të qenë pranë qendrave të votimit.
“Midis Policisë së Shtetit dhe KQZ-së është krijuar tashmë një traditë e shkëlqyer bashkëpunimi për zgjedhjet në Shqipëri. Përvoja e deritanishme e ka treguar se këto 2 institucione, së bashku, kanë prodhuar një rezultat shumë të mirë përsa iu përket standardeve të proceseve zgjedhore. Gjatë proceseve të fundit zgjedhore, Policia e Shtetit ka patur një qasje tërësisht profesionale, në raport me zgjedhjet, dhe ky nuk është një konstatim që vjen vetëm prej meje apo prej KQZ-së, por ky konstatim qendron kështu dhe për vëzhguesit vendas, për ato ndërkombëtarë, si dhe për humbësit e zgjedhjeve.
Policia e Shtetit është një organizatë që gëzon besimin e të gjitha palëve politike. Gjatë gjithë procesit zgjedhor, por veçanërisht gjatë ditës së zgjedhjeve, do të duhet të ketë një vëmendje të shtuar për disa fenomene negative, si grumbullimi i personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit.”