Në Tiranë, sipas një studimi të Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, mediat sociale kanë qasje nostalgjike ndaj periudhës komuniste të Shqipërisë dhe janë të përqëndruara në vlerësimin e saj, ndërsa mediat tradicionale janë më neutrale dhe analitike në raportimet mbi të kaluarën. Studiuesit theksuan se teknologjitë e reja kanë sjellë sfidën e manipulimit të lehtë me ngjarjet historike, ndërsa masat përballë nostalgjive të komunizmit janë të pamjaftueshme. Ish i përndjekuri politik, Sokol Mirakaj, thotë në një prononcim për Zërin e Amerikës, se nostalgjive për diktaturën shqiptare u shërbejnë me zell tani në demokraci, ata që ishin bashkëpunëtorë të saj para vitit 1991.
Studimi zbuloi se mediat online krijojnë një perspektivë të ndërmjetme në shkrimet për të kaluarën komuniste, duke gërshetuar analizat me historitë personale, platformat mediatike OTT janë më pak shkencore, televizionet janë më neutralë, ndërsa rrjetet sociale e vlerësojnë periudhën e komunizmit.
Nga monitorimi i një serie mediash të shkruara, televizive dhe elektronike gjatë nëntorit dhe dhjetorit të kaluar doli se periudhat për të cilat shkruhet më shumë nga historia janë vitet 1941 - 1944 dhe 1961 - 1981, kryesisht në materiale përkujtimore më së shumti të ngarkuara me lavdërime ose akuza, ku mungojnë këndvështrimet alternative të balancuara, por përmbajtja është ose pozitive ose negative.
Studiuesi Artan Fuga thotë se historiani i periudhës komuniste shkruante për pushtetin, ndërsa ky i sotmi shkruan për klikimet, teknologjitë e reja sjellin lehtësitë e manipulimit, dhe ndikimi tek përmbajtja e ngjarjeve historike është një sfidë që duhet trajtuar.
“Duhet që agjenda e kërkimit shkencor të përputhet me agjendën e shqetësimit të shoqërisë. E dyta, ne nuk kemi media të profilizuara në histori, as televizione, as emsione, as revista, as shtyp. Nëse nuk bëhen këto, historia është e mbaruar. Dhe e treta, siç na del nga studimet në department, ne nuk kemi gazetarin e profilizuar për raportimin e historisë”, thotë zoti Fuga.
Sokol Mirakaj, ish i përndjekur politik gjatë diktaturës komuniste, thotë për Zërin e Amerikës, pasi ndoqi konferencën gjatë Ditëve të Kujtesës, se të dhënat për nostalgjikët janë për të ardhur keq, janë po ata që i shërbyen regjimit para vitit 1991, dhe se gjendja në Shqipëri nuk mund të ndryshojë pa u ndryshuar mendësia e njerëzve, mbi çështje si hapja e dosjeve të sigurimit famëkeq e deri tek largimi prej administratave publike dhe politike i bashkëpunëtorëve të regjjmit komunist, siç u bë në shtete të tjera ish komuniste
“Të them të drejtën, është një konstatim i frikshëm ky rikthimi i nostalgjisë. Është për t’u habitur deri në një farë mase, jo fort. Ndryshimet në Shqipëri erdhën nëpërmjet dorës së atyre që i kishin bërë këto të këqija dhe që lanë prapa vazhdën e njerëzve të tyre gjithkund. Për një farë kohe këta njerëz u tulatën dhe heshtën, sepse menduan që ky ndryshim do t’i përmbyste edhe ata. Por kur e panë që ndryshimi jo nuk i përmbysi, po i ushqeu, i riorganizoi, i rifrymëzoi, ata dolën sërish në shesh”, tha zoti Mirakaj.
Drejtuesi i Delegacionit të BE-së, ambasador Silvio Gonzato, tha në konferencën Media dhe Kujtesa, organizuar nga IDMC-ja dhe Fakulteti Histori-Filogjisë në UT, se trajtimi i të kaluarës është një investim për të ardhmen, sepse brezat e rinj duhet të kuptojnë që zhdukja, përndjekja gjatë regjimit komunist ka prekur shumë njerëz, dhe këto padrejtësi nuk duhen harruar.
“Një vlerësim i qartë i sinqertë i së kaluarës komuniste të Shqipërisë është thelbësor, jo vetëm për drejtësinë, por edhe si një themel për një të ardhme demokratike dhe evropiane. Forcimi i shtetit ligjor është në thelb të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Do të thotë t'i jepet përparësi të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe pajtimit. Media ka një rol thelbësor në përshkrimin e ngjarjeve historike, por tani sfida serioze janë përballë, teksa mediat sociale kanë shtuar rreziqet e keqinformimit dhe manipulimit mbi temat e të kaluarës”, tha ambasadori i BE-së, Gonzato, i cili theksoi se liria e shprehjes duhet të shkojë paralel me shkrime të mbështetura fort mbi faktet.
Ndërsa zoti Mirakaj thotë se nga një anë nostalgjikët lavdërojnë diktaturën dhe nga ana tjetër fshehin dhe mbulojnë krimet e saj me propagandë, duke përdorur mjetet moderne të komunikimit për gënjeshtrat dhe hipokrizitë e tyre. Ai thotë se asnjë prej autorëve të diktaturës nuk u dënua, ndërsa të përndjekurit duan drejtësi dhe ajo më tej sjell faljen dhe paqen sociale
“Njerëzit që i bënë ato të këqija lanë prapa trashëgimtarët e tyre, që janë me po të njëjtën mendësi, me moshë shumë më të re dhe, për fat të keq, edhe me xhepat plot, të gatshëm për të bërë gjithçka. Kurse klasa tjetër, klasa ime, e ashtuquajtur e përmbysur, ka mbaruar dhe nuk ka më. Nuk e lanë as të marrë kulturë, as të ketë pasuri, as të ketë rreth, as të ketë shoqëi. Do të duhen shumë e shumë kohë dhe energji, që ajo ta marrë veten e të kthehet siç ishte, një shtresë dinjitare dhe atdhetare”, tha zoti Mirakaj.
Nostalgjia për regjimin komunist dhe vazhdimi i propagandës së vjetër komuniste edhe pas 3 dekada demokraci bëhen shpesh temë e studimeve në fushën e shkencave të komunikimit., ku vazhdimisht del në pah konstatimi që njerëzit e atij regjimi po përdorin mediat e demokracisë për të shumëfishuar nostalgjinë e diktaturës, ndërsa studiuesit vërejnë që masat përballë kësaj sfide janë të pakta dhe të pamjaftueshme.