Laboratorë të rinj inteligjentë, Manastirliu: Me rëndësi integrimi i aftësive digjitale me lëndët e tjera

Shqipëria

Laboratorë të rinj inteligjentë, Manastirliu: Me rëndësi integrimi i aftësive digjitale me lëndët e tjera

Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 19:26
Ogerta Manastirliu

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vizitoi sot shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer” në Tiranë, ku inspektoi investimet e fundit në dy laboratorët inteligjentë.

Gjatë vizitës së saj, ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e integrimit të aftësive digjitale me lëndët e tjera në shkollë.

“Kjo është një arritje vërtetë e rëndësishme për shkollën por edhe për sistemin arsimor, pasi të gjitha këto investime që ne jemi duke bërë janë të lidhura me mësimin në 360 gradë, pra jo vetëm aftësi digjitale lidhur me Teknologjinë dhe Informacionin, por si teknologjia ti shërbejë njohurive, kompetencave dhe aftësive të nxënësve në të gjitha lëndët. Ky është një shembull konkret se si ju po shfrytëzoni maksimalisht këtë investim në të mirë të rritjes së aftësive të nxënësve në gjuhët e huaja, lëndët shkencore dhe shoqërore”, tha Manastirliu.

340 laboratorë inteligjentë janë pajisur deri tani me teknologjinë më të avancuar në shkolla dhe brenda dy viteve do të pajisen me 985 laboratorë të rinj, ndërsa kurrikula e TIK do të shtrihet në të gjitha klasat e arsimit parauniversitar, deri në gjimnaz.

Ministria e Arsimit dhe Sportit po punon për të zgjeruar përdorimin e teknologjisë në arsimin parauniversitar, duke u fokusuar në përgatitjen e nxënësve dhe mësuesve me aftësitë e nevojshme për të ardhmen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat