Mënyra se si trajtohet komunizmi në platformat e ndryshme mediatike apo sociale ka qenë pjesë e një studimi. Gjetjet e tij japin të dhëna paraprake shqetësues për glorifikimin e diktaturës e nostalgjinë për të.
Glorifikim i diktaturës, nostalgji për të shkuarën, hapësira të bollshme për personazhe të komunizmit, trajtime të njëanshme të saj dhe ligjërim publik kontradiktor i përcjellë në media sidomos në atë sociale, ku historianët profesioniste mungojnë. Këto janë rezultatet e një studimi të kryer nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë sa i takon trajtimit të komunizmit në median shqiptare.
“Diskursi glorifikues, që është tmerrshme është 47 përqind, pa llogarit nuancat që shkojnë në një masë shumë të madhe të diskursit pranues, glorifikues ose justifikues. Kjo tregon që në këto 30 vjet nuk kemi arritur ta çlirojmë shoqërinë nga nostalgjia për komunizmin”, tha Mark Marku, dekan i Fakultetit Histori-Filologji.
“Përforcohet më tepër në rrjetet sociale, postimi është ndërtuar në këtë mënyrë që është ose glorifikues ose akuzues, mbase se algoritmet e rrjeteve sociale janë të tilla që mbështesin më shumë këtë lloj gjuhe”, tha Jonila Godole nga IDMC.
Studimi që ka vrojtuar median në muajt nëntor- janar vëren riciklimin e propagandës komuniste në kanale e forma të ndryshme, duke vënë në pikëpyetje, ecurinë e shoqërisë shqiptare dhe ndërgjegjësimin e saj në raport me të shkuarën, historinë dhe ndërtimin e një shoqërie të lirë e demokratike dhe sensin e saj kritik. Po aq, nxjerr në pah mangësitë e mëdha në zvarritjen e kërkimit të eshtrave të të zhdukurve në diktaturë, duke vënë në pikëpyetje drejtësinë tranzicionale në vend kyçe për rrugën e integrimit.
“Bashkimi Evropian mbështet përpjekjet për përballjen me të shkuarën si shtyllë e fondamentale e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Brezat e rinj duhet të kuptojnë zhdukjet, shtypjen dhe heshtjen e periudhës komuniste që të sigurohen që nuk përsëriten më.
Forcimi i shtetit ligjor është në thelb të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo do të thotë prioritizimi i të drejtave të njeriut në të gjitha reformat, duke përfshirë drejtësinë tranzicionale dhe pajtimin”, tha ambasadori i BE-së, SILVIO GONZATO .
Studimi u prezantua në kuadër të 10-vjetorit të ‘Ditëve të Kujtesës’ organizuar nga IDMC dhe Fondacioni ‘Konrad Adenaur’.