Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka marrë pjesë në një takim të organizuar nga partia në Lombardi, ku diskutoi për perspektivën e Shqipërisë pas zgjedhjeve të 11 majit dhe për angazhimin e PD-së për të ndryshuar situatën aktuale të vendit.
Bardhi theksoi se pas zgjedhjeve të ardhshme, askush nuk do të mund të bëjë presion ndaj punonjësve të administratës për të mbështetur pushtetin aktual. Ai e konsideroi qeverisjen e Edi Ramës si 12 vite të humbura për Shqipërinë dhe për shqiptarët, të cilët, sipas tij, janë lënë në harresë.
“Shqiptarët kudo që janë, nuk kanë më kohë të humbasin me gënjeshtrat e Edi Ramës. Në 12 vitet e fundit, qeveria i ka injoruar ata që kanë kontribuar për vendin dhe ka mbajtur peng të ardhmen e Shqipërisë,” tha Bardhi.
Ai siguroi emigrantët shqiptarë të pranishëm në takim se me ardhjen në pushtet të PD-së, Shqipëria do të ofrojë mundësi më të mira dhe një të ardhme më të ndritur për të gjithë. “Me PD në pushtet, Shqipëria do të ketë një derë të hapur për çdo emigrant që do të rikthehet për të jetuar në atdheun e tij,” shtoi ai.
Bardhi gjithashtu theksoi se PD nuk premton mrekulli, por se do të angazhohet për ndershmëri dhe një qeverisje të pastër, për një Shqipëri ndryshe. Ai përfundoi duke thënë se “në 11 maj, fati i Shqipërisë është i lidhur ngushtë me fatin e çdo shqiptari, dhe do të jetë një moment vendimtar për të ardhmen e vendit.”