Deputetja e PS-së, Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, u paraqit sot në SPAK për t’u pyetur për dosjen “Veliaj”.
Gazetari Andi Tela dhe analisti Enton Abilekaj thanë në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se deputetja duhet të japë dorëheqjen dhe të dorëzojë imunitetit, përballë hetimeve nga Prokuroria e Posaçme.
Andi Tela: Duhet të ketë një tërheqje të zonjës Bushka. Nëse e sheh dosjen, SPAK ka akuzën se ajo ka penguar zbulimin e të vërtetës, e lidh me disa takime që ka bërë me kushërirën e saj. Në fashikujt që lexon, ka të dhëna që zonja Bushka është përpjekur ta intimidojë dëshmitaren, të thotë tjetër gjë para prokurorëve. Zonja Bushka mund të thoshte është fjala ime përballë fjalës së saj dhe nuk janë të vërteta këto. Por SPAK ka prova të tjera, ndoshta edhe përgjim. Provat ndaj zonjës Bushka duhet të jenë të forta përderisa SPAK ka arritur të ngrejë akuzën. Provat ndaj saj, filmime, të dhëna, përgjimi, duhet të jenë në dosjen e SPAK.
Enton Abilekaj: Ajo punonte te Avokati i Popullit. Shkon deputetja, kryetarja e komisionit të Ligjeve, shkon te puna e vet, në praninë e shefes, shefja largohet, për t’i lënë të kuptohet bëj ç’thotë kjo dhe deputetja bën shantazh kushërirës. Kushërirës mund t’i shkonte te shtëpia jo te puna. Ka përdorur hapur pushtetin, i ka shkuar te zyra. Ka përgjime për këtë. Zonja duhet të jepte dorëheqjen dhe të dorëzonte imunitetin, kur e di që çështja është e mbyllur dhe nuk i shpëton kësaj.