Më 20 Tetor 2006, trupi i një vajze u gjet i copëtuar në liqenin e Zall Herrit në periferi të Tiranës.
Ende sot, kjo ngjarje është pa autor. Gazetarja Klodiana Lala, ka treguar detaje të asaj ngjarje të rëndë 19 vite më parë.
Në mbrëmjen e 20 Tetorit, pranë liqenit të Zall Herrit u ndalua një automjet “Volkswagen Golf” nga dolën dy persona që mbanin në duar 2 elektrikë dore dhe hodhën disa qese në liqen.
Më pas u lanë të lirë, për faktin se autoritetet nuk e kishin menduar që në fakt kishin të bënin me një vrasje makabre.
Të nesërmen, disa fëmijë zbuluan qese të shpërndara nëpër liqen e prej atij momenti u zbulua ngjarja e rëndë.
Trupi i copëtuar i një vajze ishte hedhur në liqenin e Zall Herrit.
“Mendohej që vajza mund të ishte vrarë e gjallë, pra mendohej që mund t’i ishte prerë trupi në pjesë ndërkohë që ajo ishte gjallë. Mendohej nga identikiti që u krye, në Shqipëri mbërritën 3 ekspertë të FBI nga SHBA, ishte ndoshta rasti i parë që Shqipëria tërhoqi vëmendjen për vrasjen e një vajze. Mënyra se si kishte operuar autori/ët e dyshuar, fliste për një vrasës serial, për një person që kishte vepruar në mënyrë kirurgjikale për të mos lënë asnjë gjurmë dhe për të zhdukur çdo mundësi për zbardhjen e krimit. Në momentin që erdhën ekspertët e FBI, arritën të krijonin një identikit. Mendohej që vajza të ishte jo më shumë se 20 vjeç”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.
Kjo viktimë, ende sot pas 19 vitesh nuk është identifikuar ende dhe autori nuk është identifikuar. U dyshua që e ndjera mund të mos ishte shqiptare, por një vajzë e huaj punonjëse seksi që kishte mbërritur në vendin tonë.
Rasti konsiderohet i pazbardhur.