Akuzat e Veliajt ndaj prokurorit të SPAK/ Reagon KLP: Sulme të vazhdueshme dhe përpjekje për presion

Shqipëria

Akuzat e Veliajt ndaj prokurorit të SPAK/ Reagon KLP: Sulme të vazhdueshme dhe përpjekje për presion

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 11:47
Foto ilustrim

DEKLARATË PËR MEDIA E KËSHILLIT TË LARTË TË PROKURORISË

Tiranë, 25 shkurt 2025 – Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) shpreh shqetësimin për fushatën e vazhdueshme të sulmeve, etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut në përgjithësi dhe në veçanti ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Olsi Dado. Deklarata të artikuluara jo vetëm nga disa segmente të caktuara mediatike, por edhe nga persona të përfshirë në hetime ose të akuzuar prej tyre, përfshirë zyrtarë të lartë, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare. Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës.

KLP bën thirrje që çdo pretendim, akuzë apo ankesë ndaj një prokurori, të trajtohet në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit institucional. KLP rithekson rëndësinë e respektimit të standardeve etike të raportimit nga mediat, duke siguruar paanshmërinë në informimin e opinionit publik, për të shmangur çdo formë dezinformimi që mund të ndikojë në integritetin e proceseve gjyqësore. Në respekt të një sistemi të pavarur gjyqësor, bëjmë thirrje për të treguar durim dhe maturi. Çdo përpjekje për të ndikuar përmes presioneve publike apo debatit politik minon parimet e demokracisë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë qëndron në mbështetje të prokurorit Olsi Dado dhe të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, që ata të ushtrojnë funksionin e tyre në përputhje me ligjin, si e vetmja garanci që drejtësia të funksionojë mbi bazën e fakteve, provave dhe procesit të drejtë ligjor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat