Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha të martën se vendi i tij është dy vjet larg përfundimit të procesit historik të negociatave me Bashkimin Evropian.
Për rrugëtimin e Shqipërisë në Be, Rama foli në rubrikën “Sy m’sy” në llogarinë e tij në Facebook.
Rama: Fundi i vitit 2027, përfundimi i procesit historik të negociatave me BE-në
"Nëse do të ishte sado pak e vërtetë gjithë ajo baltë, nëse do të kishte sado pak të vërtetë në gjithë atë llum për Shqipërinë nuk do të ishim ne dy vite larg, fundi i 2027-tës, dy vite, përfundimit të gjithë procesit historik të negociatave me Bashkimin Evropian dhe të të gjithë procesit historik të ngjitjes drejt një maje që nuk e shihnim kurrë, tani e shohim. Është dy vite. S’do ishim këtu ne sepse Bashkimi Evropian, dëgjoni këtu, nuk bënë politikë dashamirëse dakord, kur vjen puna te negocimi. Çfarë do të thotë nuk bën politikë dashamirëse? Nuk të fal asnjë gjë, zero. Nuk të fal asnjë gjë nëse ti nuk plotëson të gjitha kriteret, nëse organizmi yt nuk është i pastruar nga të gjitha llojet e infeksioneve të mëparshme të marra nga e shkuara, nuk të pranon”, tha Rama.
Shqipëria hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE, më 15 tetor të vitit 2024.
Ky hap i rëndësishëm për Shqipërinë erdhi pasi një pritjeje të gjatë. Shteti kishte aplikuar për anëtarësim në vitin 2009 ndërkaq, statusin e vendit kandidat e kishte marrë më 2014.
Rama: Mund t’i kesh bërë detyrat por për arsye interesash një vend mund të pengojë
“Ti mund t’i kesh bërë detyrat, por për arsye interesash, dhe për arsye të momentit, një vend, një vend, një vend të pengojnë. Kurse të bëjnë politikë që të thonë hajde se po mbyllim sytë se këta janë narko, por ne do t’i marrim. Se këta janë të korruptuar, por ne do t’i marrim. Se këta s’kanë bërë asnjë përparim, por ne do t’i marrim. Këtë duhet ta harroni. Nuk ndodh kjo. Sepse është një sistem tërësisht tjetër dhe ne po futemi në atë sistem. Ne po bëhemi siç u bënë emigrantët shqiptarë kur arritën më në fund të marrin pasaportën atje dhe kur arritën t’i imponohen vendeve atje me qytetarinë e tyre dhe morën pasaportën. Siç morën shqiptarët në Gjermani pasaportën gjermane, siç morën shqiptarët në Itali pasaportën italiane, siç morën shqiptarët në Greqi pasaportën greke ku shtetet e atjeshme i njohën si qytetarë të barabartë dhe sot janë qytetarë të dyfishtë, kështu do të jemi dhe ne. Këtë po bënë Shqipëria”, shtoi ai.