Tenderi i paracaktuar 9.3 milionë euro për “Rejsi Pharma”, pacientët e QSUT vijojnë t’i blejnë ilaçet vetë

Shqipëria

Tenderi i paracaktuar 9.3 milionë euro për “Rejsi Pharma”, pacientët e QSUT vijojnë t’i blejnë ilaçet vetë

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 15:58
Foto ilustrim

Pacientet e shtruar në QSUT vazhdojnë të blejnë barna me para nga xhepi i tyre në farmacitë jashtë spitalit.

Ata tregojnë për Top Channel shumat e parave të cila duhet të shpenzojnë duke qenë të shtruar në spital pa ditur të thonë emrat e medikamentet që mjeket u kërkojnë të blejnë.

E ndërsa pacientët janë të detyruar të blejnë ilaçe, vetëm para pak ditësh, Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar një tender të paracaktuar në vlerë 9.3 milionë euro, nga ku 8.5 milionë euro janë përdorur për blerjen e barnave inovatore që përdoren vetëm nga një numër i vogël pacientësh, nga 3 deri 50 pacientë të cilët nuk janë të shtruar në spital dhe që janë barna të kushtueshme.

Kjo shumë jo pak e vogël i shkon në një dorë të vetme, në kompaninë farmaceutike “Rejsi Pharma”.

Sikundër, duket në tabelë për barin Risdiplam, i cili trajton dy pacientë, për dy vite, do të blihen vetëm 50 flakone dhe që kushtojnë afro 400 mijë euro.

Bari Lanadeluamb përdoret për pacientët me angioedeme dhe mund të trajtohen 30 pacientë dhe për dy vite do të blihen 60 shiringa të parapërgatitura për dy vite në një vlerë prej afro një milion euro.

E po kështu vijohet me blerjen e 3150 hard kapsulave në vlerën e afro 6 milionë eurove për dy vite. Sigurisht, të drejtën për shërbim shëndetësor e ka qoftë edhe një pacient i vetëm. Por si janë trajtuar deri me tani këta pacientë? A e di Ministria e Shëndetësisë se në QSUT mungojnë barna për pacientët e shtruar në spital?

E kontaktuar nga Top Channel, Ministria e Shëndetësisë thotë se këto barna janë kërkuar nga shefat e shërbimeve.

Behet fjalë për shërbimin e Hematologjisë, Shërbimin e Alergologjisë, Shërbimin e Neurologjisë pediatrike, nisur kjo nga diagnozat të cilave u përgjigjen barnat që do të blihen pasi fituesi i paracaktuar i tenderit, në këtë rast “Rejsi Pharma”, të lidhë kontratën me Ministrinë.

Top Channel ka mësuar se para se të shpallej ky tender, i është kërkuar shefave të shërbimeve të kërkojnë barna inovatore. Por ata përveç tyre kanë kërkuar edhe barna të tjera, për të cilat kanë nevojë një numër shumë më i madh pacientesh të shtruar.

Drejtoria e QSUT nuk e ka sjellë ende dokumentin me kërkesa për barna, që ka dërguar në zyrën e prokurimeve në Ministri. Në këtë zyrë është bërë selektimi i barnave të reja që duhen blerë me kosto shumë të larta, duke i dhënë pjesën më të madhe të ‘tortës’ kompanisë “Rejsi Pharma”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat