“Po zhduken provat dhe dokumentet”, Berisha hodhi akuza, reagon Bashkia e Tiranës: Proces rutinë për zhvendosjen e arkivës nga godina kryesore

Shqipëria

“Po zhduken provat dhe dokumentet”, Berisha hodhi akuza, reagon Bashkia e Tiranës: Proces rutinë për zhvendosjen e arkivës nga godina kryesore

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 17:27
Foto ilustrim

Kryedemokrati Sali Berisha ka denoncuar këtë të martë se Bashkia Tiranë po zhduk prova shkresore dhe dokumente.

“Regjimi po shkërmoqet, siç edhe ligji më i pandryshuar i diktaturave. Institucionet janë angazhuar në një përpjekje të ethshme për të zhdukur provat shkresore, dokumentet e veprimtarive të tyre kriminale.

Ka 3 javë që një proces i tillë, i ethshëm, po kryhet në disa dikastere. Ajo që patë sot në Bashkinë e Tiranës është vetëm maja e ajsbergut.

Ajo, ka ndodhur siç është paralajmëruar në Këshillin e Ministrave, Ministrinë e Brendshme, një përpjekje e tmerrshme e ethshme për t’u fshehur me djegie dhe grisjes dokumentesh. Siç e patë mbrëmë, qytetarët e Tiranës shprehën një shqetësim të madh, por pati edhe të tjerë që bënë humor, u inagurua ‘inceneratori i Tiranës’. Djegia në Bashkinë e Tiranës, e dokumenteve, jo vetëm të bashkisë e bënë përgjegjëse këtë bashki për një krim shumë të rëndë, jo vetëm të bashkisë, por edhe institucione të tjera.

Ndaj edhe, ju bëj thirrje të gjithë punonjësve të administratës, njerëz të ndershëm të mbajnë kopje të çdo veprimtarie antiligjore kriminale të zyrtarëve të lartë të tyre. Të mos implikohen, të mos bëhen bashkëautorë në një proces karakteristik për përmbysjen e sistemeve. Të mos harrojnë se, gjurma digjitale do të gjendet edhe në hënë, kudo që të jetë dhe auditi i përgjithshëm për të gjetur se ku kanë shkuar 56 miliardë në 12 vite të Edi Ramës, të cilat nuk janë dhënë rroga dhe pensione.

Ndaj dhe, stop djegies së dokumenteve! Stop, zhdukjes së tyre dhe zbrazies me shpejtësi të arkivane të dikastereve”, ka thënë Berisha.

Berisha ka shpërndarë edhe një video, ku shkruan “nga burgu, Lal Vjedhësi urdhëron zhdukjen e dokumenteve! Pasi kanë vjedhur, duan të zhdukin gjurmët”.

Pas deklaratës së Berishës, ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës, ku hedh poshtë akuzat dhe thekson se është një procedurë rutinë për zhvendosjen e arkivës nga godina kryesore drejt godinës së arkivës së Bashkisë.

“Bashkia e Tiranës po kryen një proces routinë për zhvendosjen e arkivës nga godina kryesore drejt godinës së arkivës së Bashkisë. Lajmi i publikuar si nga Sali Berisha, ashtu edhe nga mediat e tjera, është i pavërtetë”, thuhet në reagimin e bashkisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat