Babai i 3-vjeçarit që ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës disa ditë më parë, ka reaguar për mediat.
Samed Hasmegaj tha se vdekja e djalit të tij nuk mund të ketë ardhur nga përdorimi i ilaçit për minjtë. Sakaq burime paraprake nga mjekët e spitalit të QSUT thanë dje se nga ekzaminimet dyshohet se 3-vjeçari që vdiq dhe motra e tij, e cila ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore në pediatrinë e QSUT dyshohet të jenë helmuar nga ilaçet kundër minjve.
Por i ati e fëmijëve mohon diçka të tillë. Ai thotë se as ai vetë nuk e di se çfarë ka ndodhur saktësisht me të birin dhe se pse ai ndërroi jetë aq papritmas.
“As vetë nuk e di se çfarë ka ndodhur me djalin. Mediat kanë abuzuar me lajmet, unë vetë nuk i kam parë, por më kanë thënë të afërmit që në lajme thuhet se djali ka ndërruar jetë nga ilaçi që mund të kem përdorur për minjtë, kjo nuk është e vërtetë. Mjekët më thanë në fillim se ndoshta mund të ketë qenë një gjendje gripale, por nuk e di. Pres të më thonë më shumë mjekët. Vajza është ende në gjendje të rëndë, mjekët nuk më kanë thënë ende se sa do të qëndrojë në spital. Edhe bashkëshortja është në spital dhe ndodhet në një gjendje jo të mirë shëndetësore”, tha babai i të miturit.
Kujtojmë se 3-vjeçari ndërroi jetë në Shkodër, ndërsa motra e tij 7-vjeçare ndodhet në gjendje kritike për jetën e shtruar në QSUT.