SPAK, 24 masa sigurie për drejtuesë të Universitetit Bujqësor. Rama: Pa gjyq

Shqipëria

SPAK, 24 masa sigurie për drejtuesë të Universitetit Bujqësor. Rama: Pa gjyq

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 19:32
Universiteti Bujqësor i Tiranës

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masave të sigurisë ndaj 24 drejtuesve dhe nëpunësve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, nën dyshimet për abuzime me tenderat. Mes tyre, dy zëvendës rektorë dhe tre pedagogë janë në detyrim paraqitje dhe arrest shtëpie. Ndërsa në arrest me burg është lënë administratori i Universitetit dhe 4 drejtorë e specialistë. Kryeministri Edi Rama sulmoi sërish SPAK-un ndërsa foli për masa sigurie të dhëna pa gjyq. Ai njoftoi se nesër në grupin parlamentar socialist do të ketë një dëgjesë me rektorin e Universitetit, një institucion i cili, sipas ligjit, ushtron veprimtarinë në mënyrë autonome

Dyshimet për abuzime me fondet përmes tenderave të organizuara nga Universiteti Bujqësor i Tiranës çuan në lëshimin e masave të ndryshme të sigurisë ndaj një numëri të lartë drejtuesish të këtij institucioni dhe stafit administrativ të tij. Administratori Eduart Tërthorja, si dhe 4 drejtorë dhe specialistë u arrestuan. Për 10 të tjerë, përfshirë 3 pedagogë, është vendosur arresti në shtëpi, ndërsa për 9 persona, përfshirë dy zëvendës rektorët Ilir Kapaj dhe Romina Koto, është caktuar detyrim për paraqitje. Ata dyshohen pë disa vepra penale, që nga shkelja e barazisë në tendera, te falsifikimi I dokumentave apo shpërdorimi i detyrës.

Hetimet kanë zbuluar “përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkuruesw dhe fituesw në 9 procedura prokurimi”. Në të gjitha këto procedura, “operatorët ekonomikë fituesë, kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, të cilat janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa bërë asnjë studim tregu”. Po ashtu, Prokuroria shpjegon se “janë evidentuar raste të zhvillimit të procedurës së prokurimit me operator ekonomik të paracaktuar fitues, për pajisje dhe mallra të tjera, që i janë vënë në dispozicion autoritetit kontraktor, disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit”.

Ndërsa lajmi për masat e sigurisë, nuk kishte shumë që po qarkullonte, kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale. Ashtu si dhe në rastin e arrestimit të zotit Veliaj, edhe këtë herë ai sulmoi SPAK-un. kur foli për masa të marra “pa gjyq”.

Kryeministri njoftoi po ashtu se nesër në grupin parlamentar socialist do të ketë një dëgjesë me rektorin e universitetit Fatbardh Sallaku, “i cili nuk është përfshirë në hetimin” që sipas zotit Rama lidhet me “disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë lekë”.

Hetimet sipas Prokurorisë kanë nisur në vitin 2022, pasi materialet i janë referuar nga policia e Shtetit e cila ka grumbulluar fillimisht “të dhëna për përfshirjen në veprime korruptive të zyrtarëve të Universitetit”. Dhe bëhet fjalë për procedura prokurorimi me një vlerë 90 milionë lekë.

Në reagimin e tij, kryeministri shkruan se rektori i Universitetit “flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht”.

Nuk është e qartë se përse, rektori Sallaku, ka zgjedhur që për këtë keqkuptim, sipas tij, të japë shpjegime në një forum të një force politike, dhe jo ta bëjë publikisht, nga mjediset e vetë universitetit, përballë studentëve dhe pedagogëve që e kanë zgjedhur. Për më tepër që universiteti gëzon autonomi dhe nuk është në varësi të institucioneve të tjera, jo më të një grupi parlamentar, qoftë ky dhe i shumicës në pushtet.

Nga ana tjetër, duket se kryeministri Rama po e përdor rastin për të mbajtur gjallë retorikën e kohëve të fundit kundër veprimeve të SPAK-ut, si për të dëshmuar se qëndrimet e tij, nuk lidhen vetëm me çështjen e zotit Veliaj./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat