Analisti Mentor Nazarko në emisionin “Real Story” në ABC News, u shpreh se masa e marrë ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, është shumë e rreptë.
Gjithashtu ai shtoi se narrativa që ka ngritur prokurori nuk është mbështetur mbi prova të forta.
“Në gjykimin tim SPAK, me gjithë procedurën e rrepte të personelit të vet, vuan, defekte të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, sa i takon rreptësisë së disa standardeve. Nisur nga kjo Veliaj ka zgjedhur si linjë mbrojtëse atë të akuzës për prokurorin në konflikt interesash. Gjithë qëndrimet që mban në rrjete sociale të vetat, ata kanë pasur seanca të gjata, kanë synuar që të krijojnë nervozizmin e prokurorit, prokurori ka rënë në këtë gracke. Mendoj po fuqizohet ajo teza që ka zoti Veliaj që avokati ka frymëzim politik.
Ka qenë i qartë që në fillim dhe kjo është mënyra që ai të jetë koherent nga qasja e mëparshme, me qasjen e mëparshme ka lavdëruar SPAK. Kurse për ta veçuar atë që është prokurori i çështjes së tij, ka zgjedhur këtë mënyrë. Goditja ndaj tij është shumë e fortë në gjykimin tim. Masa e marrë ndaj Veliajt, mendoj që është shumë e rreptë. Është me statusin e të dyshuarit nuk është ende i pandehur. Narrativa që ka ngritur prokurori, apo fabula prokuroriale nuk është e mbështetur mbi prova të qëndrueshme, të forta, ekspertizë… Nuk ka ekspertizë…Edhe në çështjen e shpenzimeve, nuk ka ekspertizë me sa di unë”, tha ndër të tjera ai.