74-vjetori i vrasjes së martirëve të komunizmit! Berisha: Të çlirojmë Shqipërinë nga diktatura e dytë

Shqipëria

74-vjetori i vrasjes së martirëve të komunizmit! Berisha: Të çlirojmë Shqipërinë nga diktatura e dytë

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 11:41
Kreu i PD Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate të bërë sot, nderoi 22 intelektualët e ekzekutuar nga regjimi komunist, duke theksuar se akti më i madh i nderimit që mund t’u bëhet këtyre martirëve është çlirimi i Shqipërisë nga ajo që ai e cilësoi si “diktaturë e dytë”.

Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po përdor të njëjtat metoda të shkeljes së ligjeve dhe Kushtetutës për të mbajtur pushtetin. Ai i ka ftuar shqiptarët të bashkohen për t’i dhënë fund regjimit të tanishëm dhe të kontribuojnë në ndryshimin e sistemit politik.

Kreu i PD Sali Berisha: Sot ne nderojmë martirizimin e 22 intelektualëve, ndër të shquarit e kombit shqiptar, të cilët u ekzekutuan pas një kurthi të organizuar nga policia sekrete shqiptare dhe KGB-ja, hedhjen e një shashke apo një bombe asaj kohe ambasadës sovjetike, por që nuk kishte absolutisht asnjë lidhje me intelektualët kolosë që nuk mund të pajtoheshin kurrë me regjimin komunist.

Ky ishte një krim i shëmtuar kundër njerëzimit që regjimi kreu në vazhdën e luftës civile, në vazhdën e krimeve të kryera që nga themelimi i partisë komuniste shqiptare si seksioni i partisë komuniste jugosllave, dhe gjer në fund të ekzistencës së saj.

Sot, ne nderojmë dhe përulemi para veprës së pavdekshme të këtyre martirëve, të cilët u përzgjodhën nga regjimi, por edhe personalisht nga Enver Hoxha, i cili me dorën e tij shtoi disa emra, ndër të cilët edhe Sabiha Kasimatin, një intelektuale, një shkencëtare, një studiuese të vërtetë.

Të dashur qytetarë, nderimi më i madh që u bëjmë ne sot këtyre përfaqësuesve dinjitozë të elitës së kombit shqiptar është të bashkojmë, të angazhojmë të gjitha forcat për të çliruar Shqipërinë nga kjo diktaturë e dytë, e vendosur nga një bastard i atyre që ekzekutuan 22 intelektualët e pafajshëm vetëm e vetëm për mendimet e tyre kundër diktaturës totalitare.

Edi Rama, sot përdor të njëjtat metoda, duke shkelur ligje dhe Kushtetutë, kundër kundërshtarëve politikë, për të mbajtur në këmbë regjimin e tij.

Sot është një rast për të gjithë shqiptarët që të bashkohemi me 11 maj për t’i dhënë shtytjen përfundimtare në galerat e historisë një regjimi të bazuar në krimin,drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Nderim përjetë martirëve të kombit shqiptar, që u ekzekutuan vetëm e vetëm si kundërshtarë të armikut të egër të shqiptarëve, doktrinës komuniste dhe regjimit komunist.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat