Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanovic, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u takua me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali.
Vizita ishte pjesë e një turneu rajonal dhe kishte në fokus përparimin e agjendave të bashkëpunimit rajonal dhe planet e ardhshme për zhvillim.
Gjatë takimeve, Kapetanovic përgëzoi Shqipërinë për arritjet gjatë Kryesisë së Procesit për Bashkëpunim në Europën Juglindore (SEECP), duke vlerësuar rolin e saj të rëndësishëm në stabilitetin, sigurinë dhe rritjen ekonomike në rajon. Ai veçoi gjithashtu progresin në procesin e anëtarësimit në BE dhe faktin që Shqipëria ishte ndër të parat në Ballkanin Perëndimor që iu bashkua SEPA-s, së bashku me Malin e Zi.
“Ballkani Perëndimor po ecën drejt integrimit ekonomik dhe transformimit digjital, dhe Shqipëria është lokomotiva e këtij procesi. RCC vlerëson udhëheqjen e saj në nismat rajonale dhe presim me padurim të sjellim përfitime konkrete për qytetarët e Europës Juglindore,” u shpreh Kapetanovic.
Në takimin me Kryetaren Spiropali, u diskutua edhe për rolin e parlamenteve në avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe për studimin e ri mbi Bashkëpunimin Parlamentar për Ndërlidhjen Rajonale në Europën Juglindore, nismë kjo e propozuar nga Shqipëria.
Zyrtarët shqiptarë riafirmuan mbështetjen për RCC-në, duke vlerësuar përpjekjet për zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Agjendës së Gjelbër.
Pas vizitës në Shkup, Kapetanovic pritet të udhëtojë drejt Brukselit, ku do të kryesojë një takim të rëndësishëm mbi zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.
Me Shqipërinë në krye të trenit të progresit, Ballkani Perëndimor duket më afër se kurrë ëndrrës evropiane!