Goditjet në radhët e kundërshtarit polik i kanë rritur besimin Sali Berishës ndaj SPAK duke bërë që të hedhë pas krahëve sulmet e pak ditëve me parë.
Kryedemokrati ka vendosur të moderojë gjuhën ndaj Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, duke fshirë nga fjalori paralajmërimet për shkrirje të institucionit dhe tani flet vetëm për reformim të drejtësisë me bekimin e Komisionit të Venecias.
“E ka kuptuar, e mbrojti deri tani SPAK-u i tij, tani nuk e mbron më. Tani është një drejtësi tjetër e fuqishme e vendosur të hetojë krime të mëdha si kjo. Kjo parti ka platformë të qartë, nuk mund dhe nuk duhet të ketë prokurori politike. Po kjo nuk do bëhet në asnjë rrugë tjetër përveç Komisionit të Venecias”, tha ai.
Reforma për të cilën flet Berisha nuk do te ndodhë me socialistet në pushtet. Kryedemorkati hodhi poshtë çdo hipotezë për bashkim votash me Edi Ramën për amendim të reformës në drejtësi para zgjedhjeve: “Kurrë kjo parti nuk do bashkojë votat me Edi Ramën për asnjë lloj mase ndaj sistemit të drejtësisë”.
Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se ka shndërruar grupin parlamentar ne prokurori dhe gjykatë ku radha për të dalë para trupës socialiste ishte e rektorit te Universitetit Bujqësor të Tiranës.
“More zoti Sallaku, a e kupton që u fute në strofullën e hajdutëve ti? Kujt i qahesh ti? Imagjinoni ju, hajdutët më të mëdhenj bëhen gjykatës. Nuk kishte seancë si ajo. Ajo ishte seanca më tragjikomike në histori”, u shpreh kryetari i PD.
Në mbledhjen e Grupit Demokrat, Berisha i caktoi edhe fatin politik Edi Ramës.
“Edi Rama, të garantoj se pas datës 11 maj, do të ekstradohesh në SHBA për t’u rigjykuar me McGonigalin. Ky është zotimi ynë”, përfundoi Berisha.