‘Fjala e lirë u mohua’/ Alimehmeti: Bashkia e Tiranës ka rënë, s’ka kryetar

Shqipëria

‘Fjala e lirë u mohua’/ Alimehmeti: Bashkia e Tiranës ka rënë, s’ka kryetar

Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 18:28
Ilir Alimehmeti

Pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti, kryetar i grupit të këshilltarëve të opozitës, tha se sot institucioni vendor ka rënë.

Në deklaratën e bërë jashtë Bashkisë, Alimehmeti tha se në mbledhjen e sotme kishte mungesë të theksuar të këshilltarëve bashkiakë, si dhe të kryetares së këshillit.

Nga ana tjetër tha ai, në mbledhje iu është mohuar e drejta e fjalës së lirë.

Ilir Alimehmeti: Është shumë e qartë që Bashkia e Tiranës po vuan thellë të abuzimit të fondeve, kjo për shkakun që tashmë e dimë shumë mirë, të zotit Veliaj që abuzoi për shumë vite e tani është i burgosur në Durrës.

Për këto arsye, Këshilli Bashkiak menjëherë duhet të kishte reaguar që prej arrestimit të tij, nuk e bëri.

Mund të kishte thirrur mbledhje emergjente, nuk e bëri.

Mund të kishte thirrur edhe mbledhje të zakonshme me rend dite, ku të diskutonte absolutisht këtë situatë që kemi, mungesën dhe për çfarë arsye vazhdon Erion Veliaj të drejtojë bashkinë.

Duhej debatuar nëse duhej shkarkuar nga ana e Këshillit Bashkiak apo jo.

Nuk e bëri, kërkoi opozita e bashkuar të futej debati për shkarkimin e Erion Veliaj dhe më tej do të hidhej me votë, jo nuk u lejua as fjala për procedurë.

Dhe fjala e lirë u mohua nga ana e nënkryetarit, zotit Hodaj, sepse dhe kryetarja e Këshillit Bashkiak sot mungonte, siç vumë re edhe shumë mungesa të tjera këshilltarësh bashkiakë brenda, duke e ditur fare mirë se për çfarë do të diskutohej.

Pra, sot ne jemi në kushtet kur një institucion bie sepse ka rënë kryetari i saj, sepse nënkryetari nuk është emëruar nga Këshilli Bashkiak dhe kjo është një temë tjetër shkelje.

Sepse kryesia e Këshillit Bashkiak nuk bën punën e vetë, që do të thotë, t’i japë fjalën përfaqësuesve të njerëzve. Secili nga ne është përfaqësues i njerëzve dhe secili ka të drejtën të marrë fjalën dhe të propozojë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat