Kryetari i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës, se ka marrë jashtë ligjit kompetencat e kryetarit të bashkisë.
Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PL-së, ‘çeta ‘rilindase’ që sulmoi GJKKO sot mori peng Këshillin Bashkiak, në krye të aksionit zv/ministri i Brendshëm’
‘'Çeta e atyre njerëzve që rrethuan gjykatën ditën kur do të jepej masa e arrestimit me burg ndaj Veliajt, sot konsumuan një tjetër krimin, duke shkelur jo vetëm ligjin dhe rregulloren, por edhe duke mos pranuar të shqyrtojnë dhe të hedhin në votim kërkesën e opozitës së vërtetë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, që në rrugë zyrtare dhe institucione e kishin dorëzuar këtë kërkesë.
Edi Rama sot ngarkoi dhe urdhëroi zv/ministrin e Brendshëm të drejtonte mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të dhënë mesazhin se në këtë mbledhje do të ndalohej me dhunë një e drejtë ligjore e opozitës, kërkesa për mocion me debat, për një ish-kryetar bashkie i cili ndodhet sot në arrest, jo për aferat e përbindshme si inceneratori që nuk ekziston, tek ‘5D’, vrasja e Ardit Gjoklajt përgjegjës për të cilën ai është, por për shpenzimet e luksit të bashkëshortes së tij, që në vlerësimin e opozitës është vetëm maja e ajsbergut të krimeve që ai ka bërë.
Meqë ai nuk është më kryetar bashkie, Edi Rama solli zv/ministrin e Brendshëm për të drejtuar me çizme mbledhjen e këshillit bashkiak dhe siç u informuat kjo mbledhje përfundoi pa hedhur në votim asnjë kërkesë të opozitës, ku thelbi qëndron pikërisht te mocioni për shkarkimin e një kryetari bashkie, që nuk ka më asnjë të drejtë të drejtojë as një sekondë më tepër këtë institucion dhe jo më tani që ndodhet i izoluar në qelitë e Durrësit, nga vazhdon të vjedhë sërish'’, tha gjatë fjalës së tij, Tedi Blushi.