“SPAK apo PD, kujt i trembet Rama?”, është tema e kësaj të enjte në Quo Vadis në Vizion Plus nën moderimin e Pranvera Borakajt.
Gazetari Flogert Muça tha se pas arrestimit të Veliajt, demokratët kanë marrë zemër, sepse ra numri dy i Partisë Socialiste.
Muça u shpreh se qeveria është ndarë në dysh pasi kryebashkiaku ra në paraburgim.
Sa i përket reagimeve të kryesocialistit, gazetari Flogert Muça e quan si një lëvizje me vetëdije të plotë.
Pjesë nga biseda:
Muça: Të gjitha partitë që sot janë të reja, të vogla, janë që nga viti 2013 me Ramën. Është e vështirë që të marrin votën e një socialisti. Është e vështirë, me përjashtim të Tom Doshit, që ka qenë tek socialistët. Kjo është fatkeqësia e opozitës, që votat e saj duhet të ishin bashkë kundër Ramës. Të gjitha këto parti duhet të ishin bashkë. Fakti që s’janë bashkë, për shkak të sistemit që e kemi problematik, penalizohet opozita. Nëse ka një arsye pse ekzistojnë partitë e reja, është sepse ata njerëzit që ndjekin këta nuk duan as Ramën, as Berishën. Politika është aritmetikë, por edhe kimi.
Borakaj: Ka ndryshuar diçka tek socialistët pas arrestimit të Veliajt?
Muça: Kanë marrë zemër demokratët, sepse ra numri 2 i PS. Por, për shkak të reagimit të Ramës, që ishte ndryshe nga gjithë këto vite, është ndarë qeveria në dysh. Rama e ka bërë me vetëdije të plotë. Nëse Rama do të heshtte, socialistët do ta merrnin si dobësi.