Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, uroi sot besimtarët për agjërim të lehtë gjatë Ramazanit, duke kujtuar se "ky është muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë", ndaj bëri thirrje që "të ndihmohen më të dobëtit, me dhembshuri e bujari, që kanë nevojë për kujdes dhe mbështetje".
Kryetari i këtij Komuniteti, Haxhi Bujar Spahiu, theksoi në një mesazh urimi, për Ramazan të paqtë e të begatë, se duhen forcuar në këtë muaj të shenjtë “lidhjet me familjen dhe të afërmit, por edhe me shoqërinë në tërësi, duke e bërë komunitetin më të ndjeshëm dhe më të bashkuar”.
“Ky është një muaj i shenjtë e i bekuar reflektimi, përkushtimi dhe pastrimi shpirtëror,… për të kultivuar durimin… dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve”, tha zoti Spahiu.
Ai theksoi se “…agjërimi nuk është vetëm një sakrificë fizike, por një proces i thellë shpirtëror, që synon ndërtimin e një personaliteti të qëndrueshëm, të devotshëm dhe të mbushur me vlera të larta morale”.
Besimtarët myslimanë zënë afro gjysmën e popullatës së vendit. Sipas regjistrimit të popullatës Censi 2023, në Shqipërinë me 2.4 milionë banorë, janë vetëdeklaruar 1.1 milionë besimtarë myslimanë, mbi 200 mijë katolikë, rreth 175 mijë ortodoksë, 115 mijë bektashi, e më pak në besime të tjera dhe ateistë.
Bashkësitë fetare në Shqipëri janë të njohura për tolerancën ndërfetare dhe ndër shekuj nuk kanë regjistruar asnjë konflikt të motivuar prej besimit fetar.
Ndërkaq, mbi 40 për qind e popullsisë janë të ekspozuar ndaj varfërisë, sipas të dhënave zyrtare, kryesisht në zonat fshatare, ku shërbimet kryesore dhe punësimi janë të kufizuara dhe të pabarabarta me rajone të tjera.
Emigrimi është kthyer në dukuri ndikuese për shumë fusha, ndërsa 40 për qind e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit dhe mbështesin familjet e pafuqishme me remitanca për të përballuar jetesën, ndaj edhe thirrjet për mbështetje të të varfërve zënë vend shpesh në mesazhet e bashkësive fetare.