Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i pranishëm në prezantimin e programit qeverisës të PD-së 2025-2029, foli për vjedhjet e qeverisë së Edi Ramës.
Berisha u shpreh se, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike 2005-2013 u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë me 3.8 miliardë euro, ndërsa qeveria shpërdoroi 12 miliardë euro pa ndërtuar asnjë rrugë.
Gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit qeverisës të PD-së 2025-2029, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, Shqipëria ka çmime stratosferike dhe kjo sjell dhe varfërinë.
Ai u shpreh se, pensionet në Shqipëri janë të barabarta me pagesën që një gjerman bën për qenin e tij.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Ky program përbën pjesën më të ndjeshme, më të dhimbshme, më me rëndësi jetike të programit të PD.
Në qoftë se ndalemi dhe i vështrojmë këto 12 vite të qeverisjes që po ikën, janë vitet në të cilat Shqipëria mund të përfytyrohet si një gropë e madhe që ‘hëngri’ bijtë dhe bijat e veta. Nuk i hëngri sigurisht, por i detyroi të largohej nga vendi.
I detyroi të largohej sa asnjë vend tjetër, sa nga asnjë faktor tjetër përveçse nga varfëria
Këtu nuk kishim luftëra, këtu nuk kishte asnjë shkak. Këtu gjer në vitin 2014 popullata po rritej në këtë vend. Lehtësisht po rritej, por po rritej.
Këto ishin vitet e një përmbysje të madhe.
Vite në të cilat u thellua në mënyrën më të frikshme hendeku midis qytetarëve në tërësi, zyrtarëve të lartë dhe oligarkëve në anën tjetër.
Unë, po theksoj këtu zyrtarëve të lartë për të veçuar zyrtarët e administratës, sepse në rritjen e fundit, në fakt të parë dhe të fundit që iu bë rrogave në 12 vite, 50 përqind të fondit të rritjes së rrogave e mori nomenklatura e Rilindjes, që maksimumi bëhet 1000-1200 vetë dhe gjysma tjetër u mbeti 200 mijë vetëve.
Pra, u krijua një hendek shumë i madh, por më shumë se të gjithë të tjerët, këtë e ndjeu, apo kjo goditi pensionistët në Shqipëri.
Në qoftë se i hidhni një sy shpërndarjes së të ardhurave, çfarë do gjeni? Do gjeni se Shqipëria investon buxhetin si zë tre herë më shumë se sa vendet e BE.
Në qoftë se ndalemi, portofoli i Lubi Ballukut ka pasur 12 miliardë euro tendera dhe prokurime. Hapni sytë ku janë?
Ua them vetëm për të krahasuar një shifër. Të gjitha rrugët e ndërtuara në vitet 2005-2013 që janë 11 mijë kilometra rrugë, kanë kapur një shifër 3.8 miliardë euro.
Në qoftë se kthehemi sot, absolutisht përveç tunelit të Llogarasë, asnjë rrugë tjetër e filluar dhe e mbaruar me buxhet në këto vite, nuk ekziston. Jo, nuk ekziston.
Se si është vjedhur me rrugët, unë do u jap vetëm një shembull, i cili është unik në planet, Unazën e Madhe të Tiranës. 13 kilometrat e fundit, në mënyrë që të vidhej jo në çdo kilometër, por në 900 metër të saj, u ndanë në 14 lote. 14 kontrata!
A mundet? Nuk mund të dëgjojë kush kurrë.
A ka njerëz të tillë të pangopur, të shpërfytyruar që vërsulen mbi pasuritë publike në këtë mënyrë?
Mund t’u jap plot shifra të tjera. Po çfarë ndodhi?
Ndodhi që pensionistët, të cilët merrnin në vitin 2013 një pension mesatar 145 mijë lekë, sot marrin 160 mijë. Në atë kohë, ata merrnin më shumë se të gjitha vendet e rajonit.
Sot, pensioni në Mal të Zi është 450 euro.
Sot, në Maqedoni është 400 euro.
Në Serbi mbi 400 euro.
Në Bosnje-Hercegovinë, 300 e ca euro.
Në Kosovë, 190 euro.
Pra, në Shqipëri 160 euro.
Por, në qoftë se e krahasojmë dy periudhat, çmimet në Shqipëri në vitet 2005-2013, në raport me çmimet në BE, jo vetëm që nuk ndoqën trendin e tyre, por në raport me ato çmime, çmimet në Shqipëri ranë.
Kurse këto vite, çmimet e ushqimeve në raport me çmimet në BE, janë rritur me 30 përqind.
Pra, Shqipëria me çmime stratosferike dhe me pensione pothuajse të barabarta me pagesën që bën gjermani për qenin e shtëpisë. Gjermanët japin 130 euro për kafshën e shtëpisë, për qenin.
A ishte kjo mundësia? Kurrë nuk është kjo mundësia.
Po pse Mali i Zi të trefishojë pensionet? Çfarë ka? Rezerva, potenciale ekonomike shumë më të pakëta se Shqipëria.
Pse Maqedonia të trefishojë pensionet? Pse Serbia të trefishojë pensionet?
Ka vetëm një shkak, sepse bëhet një shpërndarje e buxhetit, e cila e konsideron qytetarin, e cila respekton dinjitetin e tij, e cila bën gjithçka t’ua lehtësojë jetën qytetarëve.
160 euro ka qenë paga minimale e rumunëve në vitin 2013, kur këtu ishte 180 euro. Sot paga minimale në Rumani është 830 lej, pra është afërsisht 800 euro.
Kurrë ndonjëherë nuk ka ekzistuar një grup njerëzish më amoralë në raport me qëndrimin ndaj qytetarit, se sa këta qeveritarë.
Si mundet? Si mundet ti të lësh qytetarët e tu në këtë mjerim ekonomik?
T’u lësh alternativë të vetme largimin nga Shqipëria.
Nuk po ndalem në fusha të tjera, se ato dihen.
Mos të raftë ndonjë sëmundje e rëndë, sepse të merr sëmundja nga mungesa e ilaçeve, jo se nuk mjekohet. Se ilaçe nuk ka.
Se ata që duhet të sigurojnë ilaçet, duhet të firmosin marrëveshje me X spital. Gënjeshtarë të shpifur.
Po ç’punë ka marrëveshja me ilaçet që i duhen Spitalit Onkologjik? Dihet që kushtojnë, por pa diskutim do i blesh ato.