Programi, Sulka: PD do të nxisë konkurencën në tregun e punës dhe do të ulë informalitetin

Shqipëria

Programi, Sulka: PD do të nxisë konkurencën në tregun e punës dhe do të ulë informalitetin

Më: 28 shkurt 2025 Në ora: 20:14
Kastriot Sulka

Në një takim të zhvilluar për të shpalosur programin e Partisë Demokratike në fushën e çështjeve sociale dhe punësimit, Kastriot Sulka, drejtues i Departamentit të Çështjeve Sociale & Punësimit, theksoi nevojën për një reformë të thellë në tregun e punës.

Ai foli për punën e vazhdueshme të një grupi ekspertësh, të cilët kanë hartuar një plan të detajuar për të adresuar sfidat e këtij sektori.

Sulka nënvizoi rëndësinë e harmonizimit të vlerave njerëzore dhe parimeve themelore të ekonomisë, duke e vendosur fokusin tek krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët. Ai gjithashtu shpjegoi se si deficitet e mundshme që prekin tregun e punës mund të zgjidhen përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes institucioneve dhe bizneseve.

Ai kritikoi mungesën e vullnetit për të realizuar ndryshime të drejta dhe të domosdoshme për qytetarët, duke i konsideruar këto sfida si pasojë të një qeverisje që nuk ka pasur fokus tek nevojat reale të shoqërisë.

Sulka: "Ne me një grup ekspertësh kemi punuar prej një kohe të gjatë duke llogaritur dhe harmonizuar jo vetëm vlerat dhe dinjitetin njerëzor, por edhe parimet themelore të funksionimit të tregut ekonomik dhe, në veçanti, të tregut të punës, për t’i kthyer funksionalitetin dhe vitalitetin e munguar dhe po ashtu besimin e njerëzve tek ky treg.

Problemet që shqetësojnë sot tregun e punës dhe njerëzit në varfëri, të cilët marrin ndihmë ekonomike, mund të studiohen në shumë plane. Në planin institucional, të gjithë na kujtohet ndërtimi i një superministrie të punës dhe të çështjeve sociale në vitin 2013, kur PS mori qeverinë, në të cilën u futën edhe rinia, e cila u mor nga ministria e kulturës si departament, edhe arsimi profesional, i cili u mor nga ministria e arsimit.
Dhe qëllimi kryesor ishte që të pompohej roli i ministrit në atë kohë, i cili ishte projektuar për kryetar bashkie.

Por sa herë që ministri u bë kryetar bashkie në Tiranë, ministria nga superministria u shkri dhe funksionet e saj iu kaluan ministrisë së financave dhe tek ministria e shëndetësisë.

Ka shumë arsye të gjendjes që po përjetojmë, por në këtë rast kyresorja është mungesa e vullnetit për t’i bërë gjërat drejt dhe mirë.

Qeveria e re mendon dhe është e vendosur që në tregun e punës do të nxisim konkurrencën dhe do të zhdukim ose ulim informalitetin. Një nga këto iniciativa do të jetë taksa e sheshtë 10%.

Qeveria e re do të ketë një rrogë minimale prej 500 euro, rroga mesatare do të jetë 1200 euro, kufiri i xhiros vjetore për përjashtimin nga TVSH dhe tatimi i fitimit për bizneset e vogla do të ngrihet në 180 mijë euro për ata që kanë një xhiro vjetore.

Rishikimi i programeve dhe kurrikulave të kurseve të trajnimit për t’i zëvendësuar ato me programe të nevojshme për bizneset dhe të përdorshme nga të rinjtë dhe ajo që është më kryesorja, në bashkëpunim me bizneset".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat