Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka uruar besimtarët myslimanë, me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Fjala “sakrificë” vjen prej latinishtes e do të thotë “të bësh një veprim të shenjtë”!
E mendoj agjërimin në religjion, e sidomos te besimi Islam, si thirrje të fortë të ushtrimit të ekzistencës sonë fizike në funksion të rritjes shpirtërore.
Agjërimi përshkruhet në Kuranin e Shenjtë edhe si thirrje e fortë për zgjimin e inteligjencës te besimtari, se si të dallojë të mirën nga e keqja, dritën nga errësira. Në fakt në suren Ul – Buqarah, 2:157, ka një pasazh të mrekullueshëm:
“Hani e pini derisa në zbardhje të ditës që të dini të dalloni mes fijes së hollë që ndan dritën prej errësirës”.
Të gjithë besimtarëve myslimanë u uroj agjërim të lehtë e të pranuar të muajit të Ramazanit, që çdokush t’i afrohet sa më shumë të shenjtës, bash siç thotë Kurani: Agjëroni që të keni drojë prej Zotit”, shprehet Spiropali.