Rama inspekton punimet në godinën e ish-Komandës së Gardës: Do të jetë një atraksion i jashtëzakonshëm kulturor

Shqipëria

Rama inspekton punimet në godinën e ish-Komandës së Gardës: Do të jetë një atraksion i jashtëzakonshëm kulturor

Më: 1 mars 2025 Në ora: 14:52
Edi Rama

Një qendër e re kulturore, në një infrastrukturë tërësisht moderne, do t’i shtohet kryeqytetit, si ekspozuese dhe promovuese e vlerave të traditës dhe artit shqiptar.

Godina e ish-Komandës së Gardës së Republikës, do të transformohet në qendrën “Trashëgimia për të gjithë – Garda”, falë bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës me Qendrën Shqiptare të Trashëgimisë.

Rijetëzimi i kësaj godine dhe kthimi i saj në një qendër kulturore, të vetëqendrueshme, për zhvillimin e krijimtarisë përmes kulturës dhe dijes, – do të mundësojë promovimin e vlerave të traditës dhe vlerave kulturore unike, nxitjen e aktiviteteve artistike kulturore dhe edukative në kryeqytet dhe krijimin e mjediseve të përshtatshme për zhvillimin e disiplinave në fushën e restaurimit, trashëgimisë kulturore dhe akademike, edukimit dhe shkencave humane.

Qendra e Gardës do të jetë një atraksion dhe një vlerë e shtuar në Tiranë që do të ruajë, konservojë dhe do të mundësojë aksesin e publikut në një seri objektesh me vlera të rralla dhe të veçanta për historinë, traditën, kulturën dhe artin shqiptar, objekte këto në pronësi të subjekteve private.

Për të inspektuar ecurinë e punimeve ishte sot në terren, Kryeministri Edi Rama, së bashku me Nënkryetaren e Bashkisë Anuela Ristani dhe përfaqësues të grupit që po punon për projektin.

“Kjo ishte Komanda e Gardes. Këto janë sipërfaqe ekspozimi. Secila nga këto gjetjet është një periudhë e veçantë e historisë, që nga periudha osmane, në njërin krah janë medaljet, në njërin krah janë flamujt.  Shpjegimet janë dygjuhëshe, shqip dhe anglisht me idenë që më vonë t’i bëjmë elektronike. Njëra nga salla është e përhershme. Këtu po  mblidhen koleksione, jo vetëm të një personi, janë të të gjithë koleksionistëve, flamujt dhe medaljet e Shqipërisë në të gjithë kohërat. Salla tjetër do jetë pjesërisht e përhershme, pjesërisht me ekspozita, galeri arti, dikush që sjell një ekspozitë  me koleksione tematike.

E gjithë pjesa e hollit do të jetë me ngjyrë të kuqe. Këtu çdo gjë është origjinale dhe jo riprodhime. Është një laborator restaurimi, një bibliotekë albanologjke që kanë lidhje me Shqipërinë dhe libra koleksionimi, pra për gjithë të rinjtë që duan katalogë e këto gjërat. Do të jetë gati brenda muajit mars me idenë që të përfundojë para sezonit turistik që të jetë sa më atraktiv për këtë sezon turistik.” – shpjegoi koleksionisti Artan Lame, lidhur me mënyrën se si do të organizohen mjediset ekspozuese.

Ndërkohë, nënkryetarja e Bashkisë Anuela Ristani tha se mënyra e organizimit do jetë njësoj si tek Piramida, me qendër, ku bashkia merr pjesë dhe ka një bord që funksionon me vendimmarrje në aktivitete të përbashkëta.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama u shpreh se Muzeu do të jetë një atraksion i jashtëzakonshëm që do të ofrojë informacion për shtetin shqiptar në një mënyrë mjaft origjinale.

“Ky mund të quhet Muzeu “i veshjeve të shtetit”, dmth nëse shteti imagjinohet si person, muzeu i të gjithë garderobës së shtetit, i të gjithë xhevahireve, i të gjithë “nishaneve”, i të gjithë “kopsave” të shtetit, që do të jetë një atraksion i jashtëzakonshëm. Do të jetë një muze, i cili besoj unë do të ketë edhe një vlerë të madhe edhe për fëmijët dhe nxënësit, për studentët, për të mësuar se nga vjen shteti shqiptar dhe për të parë se si ka qenë “i veshur” në stinë të ndryshme shteti shqiptar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat