Individët dhe bizneset kanë marrë në muajin janar, 31.9 miliardë lekë hua apo thënën ndryshe 322 milionë euro, nga 11 bankat e nivelit të dytë në vend.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për ekonominë u rrit në 36% këtë filllimvit.
Që në muajin e parë të vitit individët trokitën më shumë pranë bankave për para, huamarrja e të cilëve u rrit në 9.5 miliardë lekë. Ndërsa vlera e kredisë së re për bizneset arriti në 19.6 miliardë lekë.
Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço e sheh me shqetësim kreditimin tek individët pasi sipas tij shqiptarët po marrin hua për konsum.
“Nga një anë mund të tregojë rritjen e konsumit por nga ana tjetër tregon vështirësinë e qytetarëve për ne problematikat e caktuara, në përballimin e shpenzimeve të përditshme. Por që tregues shumë i mirë, shumë pozitiv ishte një rritje e ndjeshme kreditimi përsa i përket biznesit që tregon që ekonomia, d.m.th premisat e ekonomisë janë të mira. Jemi përballë një cikli elektoral, përgjithësisht ka një rritje të shpenzimeve publike, një rritje e investimeve publike. Pastaj ka efekte edhe te biznesi privat”.
Ndalur sipas sektorëve, më shumë kredi është dhënë në drejtim të tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga industria përpunuese, ndërtimi, aktivitetet financiare, transporti e akomodimi ushqimor. Të përjashtuara vijojnë të ngelen industria nxjerrëse, bujqësia e arsimi.
“Kishim një kreditim të sektorit të turizmit, kishim kreditim me një rritje për banesat, për blerjet shtëpive. Uroj që tani ky kreditim të diversifikohet në sektorët prodhues apo edhe në sektorët që përsëri konsiderohen strategjik”.
As kursimet nuk kanë mbetur pas. Shqiptarët në banka kanë kursyer rreth 1.39 trilionë lekë apo 14 miliardë euro, me një rritje 5.8% krahasuar me janar 2024. Depozitat në lekë arritën në 651.3 miliardë lekë me një rritje 9.8% ndërsa ato në euro u rritën më ngadalë me vetëm 2.5%.
“Tregon në një farë mënyre që qytetarët shqiptarë po fillojnë që të rrisin besueshmërinë e kursimit në lek. Monedha jonë vendase ka stabilitet më të lartë sesa monedhat e huaja. Kishim parë gjithmonë në të kaluarën që kursimet rriteshin kryesisht në valutë të huaj dhe jo në monedhë vendase, ky është një tregues pozitiv”.
Luhatjet në kursin e këmbimit i kanë drejtuar njerëzit më shumë të zgjedhin monedhën vendase në marrjen e kredive por dhe kursimeve në banka.