Profesori shqiptaro-amerikan Arshi Pipa në vitin 1996, para se të ndahej nga jeta, ja dhuroi bibliotekën dhe arkivin personal Muzeut të qytetit të Shkodrës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, studiuesit vazhdojnë të hulumtojnë në arkivin e Pipës, ku interes të veçantë po ngjall letërkëmbimi i pasur me shumë personalite të kohës si dhe bisedat në radion “Zëri i Amerikës”.
Në një nga mjediset e muzeut historik të qytetit të Shkodrës ruhet biblioteka dhe arkivi personal i profesorit shqiptaro-amerikan Arshi Pipa, dhuruar prej tij muzeut në vitin 1996, një vit para se të ndahej nga jeta në SHBA.
Specialisti i muzeut, Ndriçim Mlika, thotë se biblioteka e profesor Pipës ka më shumë se 2500 libra në disa gjuhë të botës, ndërsa arkivi i tij ruan shumë dorëshkrime, skedarë si dhe leterkëmbime me personalitete të kohës, një pasuri kjo e vyer për studiuesit, që dëshmon mbi veprimtarinë mëse 50 vjeçare të Pipës në shërbim të kulturës kombëtare.
“ Në fondin e tij është edhe letërkëmbimi. Vëllimi i tij është shumë i madh dhe do të ishte mirë të shikojë dritën e botimit. Pipa ka patur korrespondencë me Camajn, me universitete të ndryshme në vartësi të projekteve të përbashkëta që kishin. Dhe është për tu çuditur se, që në vitin 1982, ka një korrespondencë shumë intensive për organizimin e një konference për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës ”, thotë ai.
Mes dhjetëra dosjeve të arkivit të profesor Pipës, paraqet interes për studiuesit edhe dosja e titulluar “ Zhvillimi kulturor i elementit shqiptar në Shtetet e Bashkuara”, ku ruhen bisedat që profesor Arshi Pipa ka mbajtur në radion “Zëri i Amerikës” në Uashington gjatë periudhës 1962-1966, vetëm pak kohë pas arratisjes nga Shqipëria dhe emigrimit në Amerikë, thotë specialisti Mlika.
“ Kjo është një dosje që përmban një numër të madh bisedash, të cilat i ka mbajtur tek “Zëri i Amerikës” duke nisur nga viti 1962. Janë 19 biseda me anë të të cilave Pipa ka paraqitur shqiptarët në sytë e amerikanëve. Ka pasqyruar të dhëna historike, sociologjike dhe etnografike për shqiptarët që jetonin në Amerikë ”.
Ideja për dhurimin e bibliotekës dhe arkivit personal Muzeut Historik të Shkodrës i lindi profesor Pipës që në vitin 1992, menjëherë pas rrëzimit të diktaturës në Shqipëri.
Kjo, pasqyrohet ne korrespondencën e gjërë me studiuesin Mentor Quku, ish drejtor i këtij Muzeu, thotë vajza e Mentor Qukut, Valbona Quku Lisha.
“ Mentor Quku pati një letërkëmbim me Arshi Pipën gjatë viteve 92-96, ku tema kryesore ishte ajo e dhurimit të bibliotekës nga profesor Arshi Pipa Muzeut të qytetit të Shkodrës. Në një prej këtyre letrave Mentori falenderon profesorin duke i shkruar se Shkodra i është borxhli dhe se nuk e din nëse do t’ia shpërblejë ndonjë herë ”, thotë ajo.
Përmes dhurimit të bibliotekës dhe arkivit personal, thotë drejtori i muzeut Sokol Haliti, Arshi Pipa dha një shembull edhe për intelektualët e tjerë që punuan dhe krijuan në mërgim për shkak të përndjekjes nga regjimi komunist i kohës.
” Jo rastësisht Pipa zgjodhi Shkodrën, ku ai u rrit dhe u formua, që gjithë kontributin e tij tokësor t’ia lejë një institucioni me idenë e studimeve të vazhdueshme dhe publikimeve”, thotë ai.
Arshi Pipa lindi në qytetin e Shkodrës në vitin 1920 dhe u nda nga jeta më 20 korrik 1997. Ishte mësues, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar dhe përkthyes. Për bindjet politike u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vite burg nga gjykata komuniste, nga të cilat kreu 10 vite burg.
Pas kësaj, arratiset nga Shqipëria dhe, në vitin 1958, emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku mbajti lidhje me shoqatën panshqiptare “Vatra”, me gazetën “Diellin” dhe “Zërin e Amerikës” duke u bërë një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut në Shqipëri dhe Kosovë.