Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, ka vlerësuar votën e diasporës si një zhvillim tepër pozitiv për shqiptarët jashtë vendit.
Ai theksoi se regjistrimi për të votuar nuk është i vështirë, ndërsa shprehu edhe një çudi të tijën në këtë proces.
Ai tha se për të është e çuditshme faktin se përse ata që jetojnë në Shqipëri nuk mund të votojnë me kartë ID të skaduar, ndërsa ata në diasporë munden.
“Vota e diasporës është një zhvillim pozitiv. Kjo, pasi shqiptarët jashtë më herët nuk kanë pasur mundësi që të votojnë.
Ka qenë një detyrë patriotike dhe nuk e shoh se u bë ndonjë gjë e madhe, por diçka që e kanë bërë vendet fqinje dhe na kishte ardhur koha edhe neve që ta bëjmë. Shqiptarët kanë shprehur interes tepër të lartë për të ushtruar të drejtën e votës.
Regjistrimi nuk është i vështirë. Nëse nuk e di vetë, mund t’i thuash dikujt që të të regjistrojë. Çudia shqiptare qëndron në faktin se përse unë që jetoj në Shqipëri e më është skaduar karta e ID, nuk votokam e ai në Paris votoka, nuk e kuptoj këtë lloj sjellje. Mund të jetë ID e pavlefshme, por ID e tregon se ky person jam unë”, tha Kume