Mbyllen primaret për Partinë Demokratike, ja sa ishte pjesëmarrja në votime
Më shumë se 41 mijë anëtarë të partisë demokratike votuan për kandidatët që duan t’i përfaqësojnë në parlament.
Në garën e primareve morën pjesë rreth 288 kandidatë të cilët aspirojnë të bëhen pjesë e listës zyrtare të PD.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për PD, për pluralizimin politik dhe për lirinë. PD prin në betejën e saj për liritë e të drejtat e saj”, tha Berisha.
Qendrat e votimit u mbyllën në orën 18:00 ndërsa procesi i numërimit nisi rreth orës 21:00, ku degët e PD u shndërruan në KZAZ për të numëruar vullnetin e demokratëve.
Fituesit e primareve nuk do jenë automatikisht pjesë e listës së Partisë Demokratike pasi duhet të kalojnë edhe një tjetër filtër, atë të kryesisë së partisë demokratike, e cila krahas votave në përzgjedhjen e kandidatëve do vlerësojë dhe kontributin e gjithsecilit në luftën kundër qeverisë dhe punën për mbledhjen e votave të diasporës.
Drejtuesit politik nuk iu nënshtruan garës së primareve, ndërkohë pjesa më e madhe e grupit parlamentar mori pjesë në zgjedhjet e brendshme që u zhvilluan këtë të shtunë në PD dhe vetëm 6 prej tyre nuk u bënë pjesë e garës.