"Jeto dhe puno aty ku ke zemrën", janë përgatitjet e fundit për panairin e parë të punës të organizuar nga Qeveria Shqipërisë në zemër të Athinës, për të ftuar të gjithë shqiptarët, që prej vitesh jetojnë e punojnë në shtetin grek, që të rikthehen në Shqipëri për të investuar, por natyrisht edhe për punë dinjitoze me paga sikurse janë ato të vendeve të Bashkimit Evropian.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me disa prej ministrave kryesorë të kabinetit të tij, do të jenë në Athinë të dielën për të folur personalisht me të gjithë shqiptarët që jetojnë në Athinë. Së bashku me kryeministrin dhe kabinetin qeveritar do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të shquar të biznesit, shkruan RTSh.
Panairi i punës me diasporën shqiptare mbledh profesionistë, sipërmarrës dhe institucione për të ofruar mundësi konkrete punësimi dhe investimi për ata që duan të rikthehen në vendin e tyre.
120 kompani shqiptare do të paraqesin vendet e punës që ofrojnë me paga nga 1 mijë deri në 6 mijë euro në varësi të kualifikimeve.