Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kujtuar në Facebook protestën e mbajtur më 2 mars 2020, ku sipas saj populli shqiptar tregoi fuqinë e tij në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
“Pesë vite më parë, qytetarët u ngritën nën thirrjen e Presidentit të Republikës për të mbrojtur demokracinë dhe barazinë para ligjit,” shkruan Xhixho, duke theksuar se tubimi ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve për të minuar Gjykatën Kushtetuese me ligje antikushtetuese, të cilat u kundërshtuan nga Komisioni i Venecias.
Ajo thekson se, pavarësisht manipulimeve politike për të kapur drejtësinë, qytetarët vazhdojnë të kërkojnë një shtet të lirë nga korrupsioni dhe arbitrariteti.
“Mbrojtja e Kushtetutës dhe parimeve të demokracisë është një betejë e përditshme kundër një regjimi që ka shkatërruar ekonominë dhe ka shpërngulur qindra mijëra shqiptarë,” thekson ajo.
Xhixho përfundon duke thënë se qytetarët shqiptarë janë tani më të vetëdijshëm se rikthimi i Kushtetutës në shinat veneciane është garanci për lirinë, sovranitetin e vendit dhe për një demokraci funksionale.
“Misioni i 2 Marsit vazhdon me vendosmëri për një Shqipëri të lirë, të drejtë dhe sovrane, ku qytetarët të mos jenë peng i korrupsionit dhe krimit politik,” përfundon ajo.