Në qytetin e Lezhës u përkujtua 581 vjetori i Besëlidhjes se Lezhës, simbol ky i bashkimit të shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të tyre. Siç njofton korrepondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, në ceremonitë e rastit merrnin pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë si dhe përfaqësues të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut, Presheva dhe Ulqini, të cilët, në përshendetjet e tyre theksuan rëndësinë e kësaj ngjarje për shqiptarët edhe në ditët e sotme.
Ceremonitë përkujtimore në nderim të 581 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës nisën me vendosjen e kurorave në Memorialin e Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit Skendërbeut nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, kryetarët e komunave me popullsi shqiptare në Luginën e Preshevës dhe Ulqinit si dhe nga përfaqësuesit e qeverisë shqiptare dhe autoritetet vendore.
Më pas, në sheshin përpara Memorialit u zbulua shtatorja e Skendërbeut, vepër e skulptorit Ardian Pepa.
Duke folur në ceremoninë e përurimit të shtatores së Skendërbeut, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sot, në një kohë zhvillimesh dhe sfidash të shpejta, ashtu si në vitin 1444 nevojitet një qasje e përbashkët, vizion afatgjatë dhe një vullnet i përbashkët për t’a forcuar rolin e shpiptarëve në rajon dhe në botë.
“ Në këtë përvjetor të rëndësishëm Lidhja e Lezhës nuk është thjeshtë një episod i së kaluarës, por është një frymëzim për të ardhmen tonë. Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët kudo që ndodhen me lidhjet e tyre të pandashme duhet të vazhdojnë rrugën e bashkëpunimit dhe forcimit të pozitës së tyre ndërkombëtare. Ashtu si Skendërbeu dhe princërit shqiptarë, që hodhën themelet e rezistencës dhe unitetit, sot kemi përgjegjësinë historike që t’a çojmë para këtë amanet duke ndërtuar institucione të forta, ekonomi të zhvilluar dhe shtete të denja, gjithnjë duke i qëndruar pranë njëri- tjetrit", deklaroi ajo.
Kryetarja e Komunës së Preshevës në Serbi, Ardita Sinani, tha se shqiptarëve vazhdojnë t’u mohohen të drejtat elementare në Luginën e Preshevës, duke synuar t’i shuajnë përmes diskriminimit, përjashtimit dhe spastrimit etnik të heshtur.
“ Prandaj sot, nga ky vend i historisë, le të themi me zë të lartë se nuk ka forcë që mund të na asimilojë dhe nuk ka padrejtësi që mund të na thyej. Ne kemi kaluar shekuj të pushtimit, kemi qëndruar përballë perandorive edhe sot nuk do të dorëzohemi ", deklaroi ajo.
Edhe përfaqësuesi i Qeverisë së Shqipërisë, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, theksoi rëndësinë e mesazhit të bashkimit dhe bashkëpunimit që Besëlidhja e Lezhës përcjell edhe sot e kësaj dite për të gjithë shqiptarët.
“Mesazhi i bashkimit të madh të shqiptarëve për t’i dalë zot trojeve shqiptare nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skenderbeut në një udhëkryq të rrezikshëm të historisë tonë të përbashkët është më aktual se kurrë për ne shqiptarët sot, kur na duhet të punojmë fort dhe të bashkërendojmë përpjekjet tona për tu bashkuar si shqiptarë me Bashkimin Europian “, tha ai.
581-vjetorin e Kuvendit historik të Besëlidhjes së Lezhës e përshëndetën edhe kryetari i Bashkisë së Ulqinit në Mal të Zi, Genc Nimanbegu, kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.