Një 43-vjeçar nga Tirana është proceduar penalisht pasi tentoi të nxirrte nga Shqipëria një shumë prej 28 650 eurosh pa e deklaruar.
Shtetasi F. R. u kap në Pikën Kufitare të Kakavijës gjatë një kontrolli të ushtruar nga Policia Kufitare. Paratë u gjetën në çantën e tij dhe u sekuestruan menjëherë si provë materiale.
Ndaj tij ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Tentoi të nxirrte nga Shqipëria, 28 650 euro, pa i deklaruar, procedohet penalisht 43-vjeçari.
Sekuestrohet shuma e parave.
Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit F. R., ku u gjetën 28 650 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin F. R., 43 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.