Një gjyqtar kushtetues i vëzhguar nga SPAK, reagon GJK: Qëndrimet tona sipas bindjes së brendshme, gëzojmë imunitet

Shqipëria

Një gjyqtar kushtetues i vëzhguar nga SPAK, reagon GJK: Qëndrimet tona sipas bindjes së brendshme, gëzojmë imunitet

Më: 4 mars 2025 Në ora: 15:22
Foto ilustrim

Nisur nga debati mediatik i ditëve të fundit, për vënien nën përgjim nga Prokuroria e Posaçme të një gjyqtari kushtetues, që lidhet me ushtrimin e veprimtarisë së tij, Gjykata Kushtetuese nëpërmjet një deklarate përpiqet të sqarojë opinionin publik se në ushtrimin e misionit kushtetues për garantimin e epërsisë së Kushtetutës, ajo udhëhiqet nga parimet e kolegjialitetit, pavarësisë dhe paanësisë, të sanksionuara në ligjin themelor.

Gjykata është e vetëdijshme për ndikimin që ka veprimtaria dhe forca e autoritetit të saj ndaj aktorëve politikë dhe institucionalë, ndaj medias, palëve në proces, ashtu edhe ndaj opinionit publik. Për këto arsye, Gjykata ndjek rregullat e transparencës në vendimmarrje, me qëllim krijimin dhe ruajtjen e besimit publik ndaj saj”, thuhet në deklaratën e gjykatës kushtetuese.

Kjo gjykatë në asnjë moment nuk mban qëndrim për faktin nëse një anëtar i saj mund të jetë përfshirë në veprimtari korruptive. SPAK ka vëzhguar një gjyqtar kushtetues nën dyshimet se mund të ndikohej që gjatë arsyetimit të vendimit për përgjimet e SKY ECC të favorizoheshin eksponentë të krimit të implikuar në keto përgjime.

Gjykata thekson se procesi vendimmarrës në ushtrimin e funksionit për dhënien e drejtësisë kushtetuese bazohet në parimet dhe procedurat e parashikuara nga korniza kushtetuese dhe ligjore, duke qenë çdo vendimmarrje rezultat i një procesi diskutimesh të mendimeve dhe qëndrimeve të secilit gjyqtar kushtetues, sipas bindjes së tij të brendshme, për të cilat gëzon imunitet të garantuar nga Kushtetuta në ushtrim të funksionit të tij.

Gjykata dëshiron të theksojë se ajo, sikundër ka vepruar deri më tani, do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj me korrektësi, integritet dhe e pavarur ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat