Shqipëria bëhet pjesë e programit “Military Erasmus” për formimin e kadetëve në akademitë ushtarake evropiane

Shqipëria

Shqipëria bëhet pjesë e programit “Military Erasmus” për formimin e kadetëve në akademitë ushtarake evropiane

Më: 4 mars 2025 Në ora: 18:29
Pamje nga takimi

Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke u bërë pjesë e programit “Military Erasmusi”, i cili do t’u mundësojë kadetëve shqiptarë të trajnohen në mbi 10 akademi ushtarake të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ky zhvillim u konfirmua gjatë takimeve të Ministrit të Mbrojtjes z.Pirro Vengu me krerët e strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së, në Bruksel. Fokusi kryesor në këto takime ishte fuqizimi i industrisë ushtarake dhe rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë sektor.

Gjatë takimit të ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu me Marie-Agnes Strack-Zimmermann, Kryetare e Komisionit për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Parlamentin Evropian, u vlerësua kontributi i Shqipërisë në fushën e sigurisë në Evropën Juglindore. “Teksa Shqipëria po përparon në mënyrë të gjithanshme në procesin e anëtarësimit, kërkova që vendi ynë të bëhet pjesë e mekanizmave të rinj të mbështetjes së industrisë ushtarake që Bashkimi Evropian po zhvillon për vendet e saj anëtare”, theksoi  ministri Vengu.

Një tjetër takim i rëndësishëm u zhvillua edhe me Fergal O’Regan, drejtuesin e Kolegjit Evropian për Sigurinë dhe Mbrojtjen, ku u diskutua mbi ngritjen e kapaciteteve akademike, shkëmbimin e përvojave në fushën e kërkimit dhe inovacionit si dhe pasurimin e kurrikulave të trajtimit ushtarak. Z.O’Regan mikpriti përfshirjen e Shqipërisë në “Military Erasmus”, gjë që hap dyert për një formim më cilësor dhe të standardizuar për kadetët shqiptarë në akademitë prestigjioze të BE-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat