Në Shqipëri Avokati i Popullit dhe përfaqësues të fushës juridike në vijimësi kanë ngritur shqetësimin mbi nivelin e lartë të personave në baraburgim, që përbën 62% të totalit të popullisë së burgjeve.
Shqipëria është kritikuar nga Këshilli i Europës në lidhje me cënimin e të drejtave të njeriut në këtë drejtim.
Njohës të fushës juridike theksojnë se ashpërsimi i masave penale ka kosto të mëdha sociale dhe financiare, ndaj argumentojnë se ndër 7 masat shtrënguese të parashikuara në ligj, ajo e sigurimit “arrest në burg”, duhet të aplikohet e fundit.
Në Shqipëri Avokati i Popullit dhe grupe shoqërore që mbrojnë të drejtat e njeriut, vënë në dukje se rritja e vazhdueshme e numrit të të paraburgosorve në raport me popullsinë e burgjeve është një element që tregon probleme të thella në cënimin e lirisë së personit, pasi ai prezumohet i pafajshëm por praktikisht është në burg.
Sot në institucionet e vuajtjes së dënimit ndodhen 5028 shtetas, 62% e të cilëve të paraburgosur, një shifër që e vendos Shqipërinë në vendin e fundit në rajon dhe Europë për nivelin e lartë të personave që mbahen në burg pa një vendim gjykate të formës së prerë.
Numri i të paraburgosurve në Shqipëri, në raport me popullsinë e burgjeve në tërësi ka qenë i lartë në dy dekadat e fundit. Në vitin 2001 ai ishte 47.8 %, e totalit, në vitin 2015 u ul në rreth 30%, ndërsa pas këtij viti që përkon dhe me nisjen e reformës në drejtësi, ka ardhur duke u rritur ndjeshëm.
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca i tha Zërit të Amerikës, se masat e rënda penale nuk ndikojnë gjithmonë pozitivisht dhe se duhet marrë në konsideratë prezumimi i pafajsisë.
“Më herët ka patur një qëndrim të qartë të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, që kanë parashikuar se masa e sigurimit “arrrest në burg” duhet të jetë e fundit dhe me e rënda për t’u përdorur. Kjo dhe në kuptim të parimit të prezumimit të pafajsisë”- thotë Znj. Ballanca.
Kjo masë në Kodin e Procedures Penale, renditet ndër 7 masat shtrënguese që parashikon legjislacioni penal, mes të cilave ndalimi i daljes jashtë shtetit, detyrim paraqitje në policinë gjyqësore, garancia pasurore, apo arresti në shtëpi.
Së fundi kjo çështje u rikthye në vëmendje pas një debati publik të zhvilluar në distancë, mes Kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posacme, Altin Dumani.
Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës për llogari të SPAK, Z. Rama u shfaq publikisht kritik mbi aplikimin e masës së sigurimit “arrest në burg” nga kjo Prokurori, për kryebashkiakë dhe punonjës shteti në detyrë, kur siç tha ai nuk janë kapur në flagrancë, nuk paraqesin rrezik arratisjeje, dhe se nuk kanë çfarë provash të prishin.
“Ne nuk mund të themi që: Po s’ka problem, le të torturohen edhe njerëz të pafajshëm, se ne duhet të kapim të fajshmit. Se ka një postulat. “Më mirë 10 të fajshëm jashtë, se një i pafajshëm në burg” që do të thotë një drejtësi e drejtë demokratike, në radhë të parë garanton që nuk i bie në qafë askujt pa lidhje”- u shpreh Z. Rama.
Por në një reagim publik Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani tha se vetëm 9% e të paraburgosurve janë subjekte të SPAK, pjesa dërrmuese e tyre nga bota e krimit të organizuar.
“Përpjekja për ta vendosur Spak-un si institucion represiv është një përpjekje e dështuar sepse shifrat flasin vetë. Prokuroria e Posaçme në kërkesat që bën, është e kujdesshme të vlerësojë, kriteret dhe kushtet që parashikon ligji sa i takon llojit të masës së sigurimit”- argumentoi Z. Dumani.
Por shqetësimi mbi nivelin e lartë të të paraburgosurve prej 62% në Shqipëri është disavjecar. Gjatë dy viteve të fundit, politikat penale janë ashpërsuar, siç konstatohet edhe nga Prokuroria e përgjithshme në raportin e fundit mbi gjendjen e kriminalitetit. Në vitin 2024 organi akuzës kërkoi në gjykatë 3073 masa arrest në burg, ose 4% më shumë se një vit më parë.
Njohës të fushës juridike shpjegojnë se kriteret ligjore janë të qarta, kur ndaj një personi organi i akuzës dhe gjykata vendosin masën e sigurimit arrest në burg.
“Ka 5 mënyra që përcaktojnë nëse do ia marrësh ose jo lirinë qytetarit që kanë të bëjë me rrezikshmërinë e veprës penale, rrezikshmërinë e autorit, me faktin se a mund t’i shmangesh hetimit apo të prishësh prova. Legjislacioni ynë është shumë i mirë. Kodi i Procedurës Penala ka 7 masa sigurimi por ne jemi akoma tek arresti në burg dhe arresti në shtëpi. Në shumë raste për arrestin në burg mjafton dhe një dyshim i arsyeshëm dhe pse ne themi “dyshim i arsyeshëm mbështetur në prova”- thotë ligji. Por në fakt po të jesh në një sallë gjyqi, do dëgjosh vetëm shprehjen dyshim i arsyeshëm. Dhe çdo të thotë dyshim i arsyeshëm pa prova – “hajde rri njeherë në burg dhe ne po i gjejmë provat rrugës”- argumenton për Zërin e Amerikës Ermal Hamataj, avokat.
Sipas statisikave të Prokurorisë së Përgjithshme, në dy vitet e fundit kërkesat e organit të akuzës për masat sigurimit “arrest në burg” janë vleftësuar nga gjykatat në masën 80%. Avokati Bledar Dervishaj vlerëson se kjo e thellon më tej këtë problem.
“Në të përditshmen tonë ne shikojmë një gjykatë që më shumë sheh me sy nga prokurori se sa nga avokati. Pra a është prokurori dakort apo jo që ta ulë apo lehtësojë masën e sigurimit. Gjykata heziton të lehtësojë masën e sigurimit sepse shikon prokurorin më agresiv, apo të fortë në mbështetje të kësaj mase. Pavarësisht se kalojnë muaj të të tërë ka të dyshuar apo në hetim që nuk merren asnjëherë në pyetje. A mund të qëndrojë 12 muaj në burg pa u marrë në pyetje ? - Çfarë t’i them unë klientit?”- thotë për Zërin e Amerikës Z. Dervishaj.
E pyetur nga Zëri i Amerikes në lidhje me arsyet e kërkesave të larta të organit të akuzës për masat e sigurimit arrest në burg Prokuroria e Përgjithshme na referoi udhëzimin e Prokuroit të Përgjithshëm në korrik të vitit 2024 drejtuar prokurorive në vend. Ky dokument nxit zbatimin e “standardeve ligjore që balancojnë nevojën për siguri të personit dhe publikut dhe efektivitetin e ndjekjes penale, me domosdoshmërinë për të respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut dhe gjithashtu synon të sigurojë që masat e sigurimit kërkohen në përputhje me parimet e ligjshmërisë, propocionalitetit, prezumimit të pafajësisë, mosdiskriminimit”.
Institucioni i Avokatit të Popullit dhe jursitët mendojnë gjithashtu se largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve nga procesi i vettingut solli boshllëqe të mëdha në sistemin e drejtësisë, duke mbingarkuar punën e trupës së drejtësisë. Edhe sot gati 9 vite nga nisja e reformës në drejtësi, në sistemin e drejtësisë mungojnë rreth 35% e gjyqtarëve, dhe e prokurorëve. Kjo situatë për pasojë është reflektuar dhe në mbipopullimin e institucioneve të paraburgimit.
Nga ana tjetër juristët ngrenë shqetësim edhe për kostot financiare. Një i burgosur i kushton buxhetit të shtetit 36 euro në ditë dhe e gjithë popullsia e institucioneve të vuajtjes së dënimit rreth 70 milionë euro në vit. Por përtej këtyre kostove ka edhe të tjera mjaft të rënda sipas avokatit Dervishaj.
“Përveç kosotove të mëdha shoqërore sociale, ekonomike psikologjike të personit dhe familjes kostoja më e rrezikshme e masës së sigurimit “arrest në burg”, lidhet me faktin se sa më gjatë të rrijë personi në arrest bie mundësia që ai të mbrojë veten dhe të dalë i pafajshëm, sepse gjykatat kur ka paraburgim të gjatë hezitojnë të japin pafajësi- shprehet Bledar Dervishaj, avokat.
Shqetësimet mbi nivelin e lartë të personave në paraburgim në Shqipëri, janë nënvizuar thuajse në të gjitha raportet e Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës dhe grupimet që mbrojnë të drejtat e njeriut në vend gjatë viteve të fundit. Por megjithatë ende nuk ka përparime në këtë drejtim. Nga ana tjetër edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka filluar të japë vendimet e para dhe në të paktën dy raste e ka dënuar Shqipërinë për aplikim të padrejtë të masave së sigurimit./VOA