Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka bërë publike marrëveshjen e plotë me aleatët me të gjitha hollësitë e saj.
"Përpara jush, me transparencë të plotë, marrëveshja me aleatët, me të gjitha hollësitë e saj. Një besa-besë për ta bërë Shqipërinë madhështore. Është radha jonë!", shkruan Noka në postimin e tij në Facebook.
Partia Demokratike ka dorëzuar mbrëmjen e djeshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e plotë të partive që do të përbëjnë koalicionin e saj për zgjedhjet e 11 majit. Koalicioni, i emërtuar "Aleanca për Shqipërinë Madhështore" (ASHM), përbëhet nga 26 parti politike. Në koalicion përfshihen edhe aleatët kryesorë si PL e Ilir Metës, PR e Fatmir Mediut dhe PDK e Nard Ndokës.
Sipas listës, mësohet se në koalicion me PD-në është përfshirë dhe Shpëtim Idrizit, i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), por edhe Vangjel Dule i PPDNJ. Në listat zgjedhore, Partia e Lirisë do të ketë 4 deputetë të sigurtë, ndërsa Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe Agron Duka do të kenë nga një deputet secili. Sipas kësaj, koalicioni siguron 8 mandate të sigurta për aleatët e demokratëve. Gjithashtu sipas marrëveshjes, çdo parti do të propozojë kandidatët e saj për listën shumëemërore, duke u bazuar në peshën elektorale dhe negociata.