Dhe pak orë nga mbyllja e regjistrimeve/ Mark Gjonaj thirrje shqiptarëve të diasporës: Vota juaj është zëri juaj!

Shqipëria

Dhe pak orë nga mbyllja e regjistrimeve/ Mark Gjonaj thirrje shqiptarëve të diasporës: Vota juaj është zëri juaj!

Më: 4 mars 2025 Në ora: 20:26
Kreu i Këshillit Koordinues të Diasporës, Mark Gjonaj

Kreu i Këshillit Koordinues të Diasporës, Mark Gjonaj, në një intervistë në “Top Story” në TCH, bëri apel për regjistrimin e sa më shumë votuesve nga jashtë, duke theksuar rëndësinë e diasporës në politikën shqiptare.

Ai nënvizoi se në zgjedhjet e vitit 2021, Shqipëria kishte 1.6 milionë votues, por nuk dihej se sa prej tyre ishin nga diaspora. “Tashmë diaspora do të ketë një ndikim të konsiderueshëm, prej 15-20 për qind të votuesve. Ajo është një faktor i rëndësishëm në politikën dhe të ardhmen e Shqipërisë,” tha Gjonaj. Ai shtoi se në përpjekjet për të siguruar votën e diasporës, kërkesa kryesore ka qenë për pjesëmarrje sa më masive në zgjedhje.

Ai theksoi se nuk ka pasur interes në politikë dhe as për kandidatët, duke shtuar se ai vetë nuk është kandidat dhe ka luftuar për të drejtat e shqiptarëve jashtë vendit, që Kushtetuta i lejon të votojnë. “Kurrë nuk jemi interesuar as për anën e politikës e as të kandidatëve. Unë nuk jam kandidat, kam luftuar për të drejtën e atyre që ligji iu ka lejuar votën, Kushtetuta e ka dhënë këtë të drejtë, për të marrë pjesë në votime. Ne nuk kemi kandidat” tha ai.

Gjonaj gjithashtu sqaroi se sa shqiptarë jetojnë në SHBA dhe se sa prej tyre kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit për të votuar. “Matjet janë se ndodhen 1 milion shqiptarë në Amerikë, por duhet ta dini se janë prej gjithë trojeve, shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, por shqiptarë janë. Diaspora gjithnjë ka qenë numëruar tek 30-50 mijë, deri në 100 mijë. Në këtë moment që flasim janë regjistruar mbase 224 mijë nga diaspora që do marrin pjesë në votime, prej tyre 22 mijë janë nga Amerika, që janë shqiptarë të Shqipërisë, se ata kanë të drejtë vote” tha ai.

Në lidhje me ata që nuk janë regjistruar, Gjonaj përdori një term provokues, duke i cilësuar ata si “shqiptarë made in China,” duke theksuar se ata nuk e ndjejnë përgjegjësinë atdhetare për të votuar. “Ne mund t’iu themi shqiptarë made in China, që kanë vetëm emrin por jo vepër, ata janë që thonë nuk duam të marrim pjesë në votime. Është detyrë atdhetare, por nuk e ndjejnë obligimin atdhetar. Të regjistrohen sa më shumë persona në platformën PER”. përfundoi Gjonaj.

*Për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, kjo është adresa ku mund të regjistroheni: https://kqz.gov.al/votues-nga-jashte/

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat